Forumi i TRT World në Istanbul për të adresuar krizat globale     Foto: TRT World 

Në kërkim të zgjidhjeve konkrete për problemet ndërkombëtare, Forumi i TRT World do të mbahet në Istanbul në datat 29-30 nëntor me temën "Një botë në prag të shembjes: Menaxhimi i krizave dhe transformimeve".

Duke folur për Anadolu, drejtori i përgjithshëm i transmetuesit publik turk TRT, Zahid Sobaci, tha se Forumi i TRT World, i organizuar për herë të parë në vitin 2017 dhe tani në vitin e tij të tetë, do ta kthejë botën me sytë nga Türkiye.

Sobaci theksoi se Forumi i TRT World u krijua si platformë për të diskutuar idetë që synojnë ta bëjnë botën një vend më të jetueshëm dhe të drejtë.

Ai theksoi përpjekjet e tyre të vazhdueshme ndër vite për t'u larguar nga një perspektivë mediale njëdimensionale mbi ngjarjet globale, duke kërkuar mënyra për t'i artikuluar këto çështje nga një këndvështrim më i gjerë dhe me një zë më të fortë.

Sobaci vuri në dukje se Forumi i TRT World nuk është vetëm platformë diskutimi, por edhe një vend për prezantimin e zgjidhjeve konkrete për problemet ndërkombëtare.

“Në këtë kuptim, forumi ynë luan një rol kyç në shkallë globale duke bashkuar ekspertë dhe duke nxitur bashkëpunimin.

"Përmes Forumit të TRT World, ne dëgjojmë zërat në rritje të të shtypurve nëpër rajone të ndryshme," u shpreh drejtori i përgjithshëm i TRT-së.

"Me pjesëmarrjen e zyrtarëve të qeverisë, politikëbërësve, akademikëve, drejtuesve të biznesit dhe intelektualëve nga e gjithë bota, ne shqyrtojmë se çfarë mund të bëhet për të gjetur zgjidhje me një unitet mendjeje dhe shpirti," deklaroi Sobaci.

Sobaci tha se ky forum do të hapë dyert për mbi 1.500 pjesëmarrës nga rajone të ndryshme dhe afro 150 folës nga më shumë se 30 vende.

Folësit do të angazhohen në diskutime mbi tema të rëndësishme përmes sesioneve të paneleve dhe takimeve të tryezave të rrumbullakëta gjatë ngjarjes dyditore, shtoi ai.

TRT Balkan / agjencitë