FSK-ja nxjerr edhe dy persona nga rrënojat e tërmetit në Türkiye.     /Foto: AA

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po marrin pjesë në procesin e kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në Türkiye, kanë arritur të shpëtojë edhe dy persona nga rrënojat.

Siç njofton FSK-ja, rezultati erdhi "pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal".

"Të pathyeshëm dhe të pandalshëm djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës së bashku me ekipet e ushtrisë turke, pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një qytetar të gjinisë mashkullore rreth moshës 50 vjeç dhe pas 162 orëve është nxjerrë edhe një vajzë 13-vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar", thuhet në njoftimin e fundit të FSK-së.

Edhe dy jetë të shpëtuara në Turqi Pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me...

Posted by Forca e Sigurisë së Kosovës on Sunday, February 12, 2023

Më tej, bëhet e ditur se megjithëse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së "janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti".
Pjesëtarët e FSK-së arritën më 8 shkurt që të nxjerrin nga rrënojat në Hatay të Türkiyes një fëmijë të moshës 2-vjeçare dhe nënën e saj.
Kontingjenti i parë i FSK-së i cili po kryen operacione të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti u nis për në Türkiye mbrëmjen e 6 shkurtit me autorizim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si komandante supreme e FSK-së. Ndërsa, një ekip shtesë i FSK-së i përbërë prej oficerëve dhe nënoficerëve iu bashkuan atyre më 10 shkurt.

TRT Balkan / agjencitë