E vendosur në një ishull të vogël afërsisht 200 metra nga bregu, e njohur si Kiz Kulesi (Kulla e Vashës), ofron një pamje të pabesueshme 360 gradë të Istanbulit.
Kjo kullë jo më larg se javën e kaluar hapi dyert për vizitorët pas një pauze dyvjeçare për shkak të restaurimit.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës dhe të Turizmit, kulla është rikthyer në gjendjen e saj origjinale që nga periudha e Sulltan Mehmetit II, me fokus ruajtjen e autenticitetit.
E përdorur ndër shekuj me funksione të ndryshme, sot pjesa e brendshme e kullës është transformuar në një kafene dhe restorant. Në vijim TRT Balkan ju njofton me historinë dhe legjendat e “Kullës së Vashës” e cila ndër shekuj me bukuritë e saj paraqet pikë referimi për turistët në Istanbul.
Kjo kullë gjendet edhe në lirën turke.
Pikërisht kjo kullë është pikë e bashkimit të Azisë me Evropën, dhe është mu në mes të Bosforit. Ajo ndodhet në një largësi të barabartë mes dy brigjeve.
Në vazhdim TRT Balkan ju njofton lidhur me historinë dhe legjendat e “Kullës së Vashës” e cila ndër shekuj me bukuritë e saj paraqet pikë referimi për turistët në Istanbul.
Kur dhe si u krijua?
“Kulla e vashës” u krijua në vitin 410 para erës sonë nga komandanti athinas Alcibiades si një pikë doganore në një ishull ngjitur me bregdetin për të inspektuar anijet në hyrje dhe për të mbledhur taksat.
Nga viti 1148-1180 perandori romak Manuel Komneni i pari ndërtoi dy kulla mbrojtëse dhe lidhi një zinxhir midis tyre për të kontrolluar trafikun në të drejtë.
“Vajza e Mbretit”
Kulla mori emrin e saj nga historia e një mbreti, i cili u paralajmërua nga një falltar për vdekjen e afërt të vajzës së tij si rezultat i një kafshimi gjarpri.
Nga frika se mos jeta e fëmijës së tij ishte në rrezik, ai e mbylli atë në kullë, duke i dërguar çdo ditë një shportë ushqimore. Megjithatë, sipas legjendës, një gjarpër gjeti rrugën e tij në shportë një ditë dhe mbyti vajzën e mbretit me kafshimin e tij helmues.
Periudha e Sulltan Mehmetit II
Pas ngadhënjimit të Istanbulit, Fatih Sultan Mehmet II e prishi këtë kala dhe në vend të saj ndërtoi një kullëz të vogël të rrethuar me puseta dhe aty vendosi topa artilerie.
Kështu në vitin 1453 u bë traditë që të gjuanin topa nga ishulli, ku mes tjerash luanin me muzikë për të përkujtuar festat dhe raste të veçanta.
Fener ndriçues dhe spital karantine
Në vitin 1660 deri në vitin 1730 funksioni i kullës ndryshoi dhe ajo u shndërrua si një fener ndriçues për t'i orientuar rrugët e anijeve.
Ndërsa në vitin 1830-1837 gjatë një epidemie kolere, në këtë kullë u ndërtua një spital karantine për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Leandro dhe murgesha Hero
Hero ishte një murgeshë e Afroditit e cila jetonte në kullë, por që e kishte të ndaluar dashurinë. Një ditë ajo largohet nga kulla për në faltoren e Afroditit, dhe atje njihet me Leandrosin. Dashurohen në njëri-tjetrin gjatë kohës kur Leandrosi e kalon natën në kullë.
Kulla bëhet dëshmitare e dashurisë së ndaluar të dy të rinjve.
Një natë me furtunë, Leandrosi po mundohej t’i afrohej kullës duke notuar, por feneri i ndezur nga Hero, për t’i treguar rrugën atij, fiket nga shiu dhe ai humb rrugën duke u fundosur në ujërat e Bosforit.
Hero, e cila sheh vdekjen e të dashurit të saj, lëshon veten në ujrat e ftohta të Bosforit, që edhe ajo ta vulosë fatin e saj në mënyrë të ngjashme.
Funksioni i Kullës si radar
Në vitin 1959 pas përdorimit të saj si një rezervuar gazi, kulla u bë një stacion radar për të paralajmëruar dhe ndihmuar anijet të lundrojnë në kushte të këqija moti.
Hapja e Kullës si restorant
Pas shpalljes së Republikës së Türkiyes e deri më ditët e sotme në këtë kullë janë bërë shumë punime të rinovimit.
“Kulla e Vashës” hapi dyert për vizitorët si restorant së pari në vitet 1995-2000.
Pas gjithë kësaj historie të lavdishme, “Kulla e Vashës” mbetet ndër atraksionet kryesore të Istanbulit.