Skenat prekëse të një fëmije të nxjerrë të gjallë nga rrënojat dhe një djali 24-vjeçar që mbijetoi për 49 orë nën beton të shkatërruar treguan koston njerëzore të tërmeteve vdekjeprurëse që goditën Türkiyen dhe Sirinë.
Për katër ditë e net që nga tërmeti shkatërrues, një ushtri e punonjësve vullnetarë të shpëtimit punon në temperatura të ulëta për të gjetur ata që janë ende të bllokuar nën rrënoja, pasi disa qytete në të dyja anët e kufirit janë të mbuluara me errësirë.
Numri i të vdekurve tani u afrohet 16.000 viktimave në të dyja vendet. Ky numër mund të dyfishohet nëse skenarët e rastit më të keq të ekspertëve realizohen.
Megjithatë, historitë e të mbijetuarve që lindën nga rrënojat e tërmetit sollën një fije shprese për shpëtimtarët si dhe për familjet e viktimave.
Tre persona 76 orë nën rrënoja
Në qytetin Gaziantep të Türkiyes, tre persona u shpëtuan nga rrënojat 76 orë pas tërmetit.
Janë në vazhdim punimet e kërkim-shpëtimit në rrënojat e ndërtesave të shembura pas tërmeteve me epiqendër rajonet Pazarcık dhe Elbistan dhe të cilët kanë prekur 10 qytete të vendit.
Ekipet intensifikuan punimet në rajon pasi kapën tinguj në rrënojat e një ndërtese në bllokun Ayşe-Polat në lagjen Batıkent në qendër.
Pas punimeve të gjata ekipet arritën të shpëtojnë gjallë tre persona. Të plagosurit Ersin dhe Mustafa Tabur, si dhe babai i tyre Mithat Tabur u nxorën nga rrënojat nën shoqërimin e duartrokitjeve dhe tekbireve.
Të lënduarit që u nxorën 76 orë pas tërmetit nga vendi ku ishin bllokuar u dërguan më pas me ambulanca në spital.
Mësuesja shpëtohet nën rrënoja
24-vjeçarja Mesude Akay, një mësuese nga Hatay, u nxor nga rrënojat e ndërtesës së shkatërruar herët në mëngjesin e së mërkurës, 49 orë pas tërmetit.
Ekipet e shpëtimit e transferuan Akarin në një ambulancë për të marrë kujdesin e plotë mjekësor nga mjekët që po punojnë pa u lodhur për të shpëtuar sa më shumë njerëz.
Hatay është një nga provincat më të goditura.
Dy gra u shpëtuan pas 48 orësh
Gjithashtu në Hataj, 48 orë pas katastrofës vdekjeprurëse, dy gra të tjera u shpëtuan nga banesa e tyre e shkatërruar. Mona Gazel (52) dhe Nejla Melek (74) u shpëtuan mëngjesin e së mërkurës. Të dyja gratë kaluan kontrollet fillestare shëndetësore përpara se të dërgoheshin në spital.
Foshnja nga Adiyaman u shpëtua pas 36 orësh
Një foshnjë që i mbijetoi tërmetit në Adiyaman, një nga dhjetë provincat e prekura, u shpëtua nga Njësitë e Zjarrfikësve dhe të Shpëtimit Ajror të Aeroportit Konya (ARFF), pastaj u dërgua në spital.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë nëpër grumbujt e rrënojat nga ndërtesat e shkatërruara, duke dëgjuar me kujdes çdo shenjë të të mbijetuarve të mundshëm.
Një nënë me foshnjën e vet nga Siria janë gjetur të gjalla pas 44 orësh
Ekipet e kërkim-shpëtimit shpëtuan gjithashtu Wafe Sabha 2-vjeçare dhe nënën 33-vjeçare të fëmijës, Imed Sabha, në Hatay, 44 orë pasi tërmetet e mëdha goditën rajonin jugor të Türkiyes dhe Sirinë.
Fotot e operacionit të shpëtimit treguan shpëtimtarët që festonin në mënyrë euforike ndërsa Wafe, e cila dukej dukshëm e traumatizuar, u tërhoq nga rrënojat.
Mrekullia e një foshnjeje
Në Şanliurfa, ekipet e shpëtimit nxorën të gjallë një foshnjë njëvjeçare nga rrënojat e një ndërtese pesëkatëshe, 53 orë pas katastrofës. Foshnja e paidentifikuar është dërguar në spital pasi ka marrë ndihmën e parë në vendngjarje.