Ministri i ri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, ka pranuar urime nga krerët e MPJ-ve të vendeve të Ballkanit me rastin e emërimit ministër i Jashtëm, transmeton Anadolu. Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka uruar kryediplomatin turk Fidan.
"Popujt dhe vendet tona kanë një lidhje të veçantë. Mezi pres të forcojmë aleancën tonë të gjatë dhe të pasurojmë jetën e qytetarëve tanë. Ju uroj një udhëtim të suksesshëm", shkruan Gërvalla në Twitter.
Gjithashtu, edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në postimin e tij në rrjetet sociale, ka uruar shefin e ri të diplomacisë turke, Fidan.
"Ne i vlerësojmë shumë marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes si dhe presim të punojmë me ju për të avancuar bashkëpunimin tonë, për dobinë e vendeve dhe qytetarëve tanë. Urime", ka shkruar Osmani.
Kryediplomati serb Ivica Daçiq ka uruar ministrin Fidan.
"Mezi pres të punojmë së bashku për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Türkiyes. Faleminderit Mevlüt Çavuşoğlut për bashkëpunimin tonë të suksesshëm që kemi realizuar prej shumë vitesh", ka shkruar Daçiq.