Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, i cili po qëndron për vizitë në Türkiye, tha se ky shtet është një vend që luan rol konstruktiv në Ballkan dhe se kontribuon në paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit.
Ibrahimoviq ndodhet në një vizitë dyditore në Türkiye, gjatë së cilës sot në Istanbul është takuar me kolegun e tij turk Hakan Fidan.
Në konferencën për shtyp pas takimit, Ibrahimoviq shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Türkiye.
"Kjo është vizita ime e parë zyrtare dypalëshe që nga marrja e detyrës si Zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Malit të Zi dhe më vjen shumë mirë që ky vend është Türkiye, vendi ynë mik i ngushtë, një partner i rëndësishëm dhe aleat i NATO-s. Këtë vit, Mali i Zi dhe Türkiye shënojnë 145 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Jam i bindur se përfaqësuesit e parë diplomatikë të vendeve tona, të cilët ndërtuan themelet mbi të cilat ne zhvillojmë bashkëpunimin ndërshtetëror, do të jenë krenarë për gjithçka që kemi arritur së bashku", tha Ibrahimoviq.
“Gjatë bisedimeve të sotme, këtu në Istanbul, shpreha kënaqësinë për bashkëpunimin brenda NATO-s dhe përpjekjet e përbashkëta të dy vendeve tona për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin kolektiv. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kohën e krizave dhe konflikteve globale në rritje që kërkojnë angazhim dhe bashkëpunim të shtuar të bashkësisë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme të përhershme së bashku”, tha Ibrahimoviq.
Ai theksoi “rolin konstruktiv të Türkiyes në Ballkan dhe kontributin e saj në paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe angazhimin e saj të padiskutueshëm ndaj nismave rajonale dhe përmirësimit të bashkëpunimit rajonal”.
Ai theksoi se Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) me mbi 400 projekte zhvillimore me vlerë mbi 20 milionë euro është një nga partnerët më të rëndësishëm zhvillimor të Malit të Zi.
Duke kujtuar se sot në Türkiye jetojnë një numër i madh njerëzish me origjinë nga Mali i Zi, të cilët janë besnikë ndaj Türkiyes, por që kanë emocione të forta ndaj Malit të Zi.
“Unë mendoj se është një shans i madh dhe se ato janë një urë e jashtëzakonshme për të forcuar marrëdhëniet e mira miqësore të dy shteteve vëllazërore”, tha Ibrahimoviq.