Në centralin bërthamor të Türkiyes, Akkuyu, është dorëzuar sot karburanti i parë bërthamor me çka inagurohet fillimi me punë i këtij centrali në qytetin Mersin.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se me dorëzimin e karburanteve bërthamore që vijnë nga deti dhe ajri Akkuyu ka fituar identitetin e një objekti bërthamor. Gjatë një video-lidhjeje në ceremoninë shtetërore të dorëzimit të karburantit bërthamor në këtë central, Erdoğan tha se vendi i tij më në fund është në shoqërinë e vendeve që shfrytëzojnë resurse bërthamore të energjisë.
“Türkiye është ngritur në ligën e vendeve me energji bërthamore në botë, ndonëse pas 60 vitesh vonesë”, tha Erdoğan.
Ai theksoi se ky projekt do të sigurojë energji të lirë dhe të gjelbër për vendin e tij, duke ulur më tej varësinë energjetike.
“Projekti Akkuyu do të kontribuojë me 1,5 miliardë dollarë në vit për uljen e importeve të gazit natyror të Türkiyes dhe do të ketë ndikim pozitiv në rritjen e të ardhurave kombëtare”, tha presidenti turk.
Me video-lidhje, në ceremoni u drejtua edhe presidenti rus Vlladimir Putin. Ai tha se me bashkëpunimin për ndërtimin e këtij objekti, janë forcuar më tej marrëdhëniet ruso-turke.
“Centrali Akkuyu, një nga projektet më të mëdha të përbashkëta në historinë turko-ruse, do të kontribuojë në marrëdhëniet fqinjësore midis vendeve tona”, tha Putin.
Ai theksoi se ky sukses nuk do të ishte i mundur pa lidershipin e presidentit Erdoğan.
“Türkiye tani do të jetë një vend me energji bërthamore, një nga burimet me kosto më të ulët në botë”, tha Putin.
Gjatë ceremonisë, Erdoğan paralajmëroi fillimin e punës edhe për centralin e dytë dhe të tretë bërthamor në vend.