Në shumicën e qarqeve perëndimore ka mungesë të të menduarit strategjik, tha zëdhënësi presidencial i Türkiyes, Ibrahim Kalin, në një intervistë për të përjavshmen gjermane Die Zeit, duke komentuar luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me Kinën, migrimin luftën kundër terrorizmit, zhvendosjen e qendrës ekonomike të gravitetit të botës nga Perëndimi në Lindje. Sipas tij, perëndimi e largon veten nga pjesa tjetër e botës.
"A do të ndjekë Evropa hapat e ShBA-së në çdo gjë? Apo do të zhvillojë Evropa të menduarit e saj, politikën e saj ekonomike dhe politikën e saj të mbrojtjes? Si do t'i përgjigjet ShBA-ja qëndrimit të Evropës?" pyeti Kalin. Ai në vijim të intervistës foli edhe për vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në Kinë.
"Ju e keni parë diskutimin që presidenti francez Emmanuel Macron filloi ndërsa fliste për autonominë strategjike për Evropën gjatë vizitës së tij në Kinë. Kjo është një pyetje e madhe. Dhe pastaj pyetja se si të veprohet me Rusinë”, thekson ai.
Kalin tha se të gjithë mbështesin Ukrainën dhe integritetin e saj territorial dhe kundërshtojnë pushtimin rus të territorit ukrainas, përfshirë Türkiyen.
"Por, si të përballemi me luftën tani është një pyetje për të cilën vende të ndryshme japin përgjigje të ndryshme. Ka disa vende që janë shumë agresive ndaj Rusisë," tha ai.
I pyetur se cilat shtete e kishte fjalën, Kalin tha se ato vende janë të njohura dhe nuk ka nevojë t'i emërtojë.
Kalin tha se disa vende, si Gjermania dhe Franca, filluan të pyesin veten se sa mund të zgjasë kjo luftë, "Dhe ka vende të tjera që bëjnë më shumë pyetje."
"Para së gjithash, pse jemi në këtë luftë? Ka gjithashtu një mosmarrëveshje të madhe në Perëndim se si të veprohet me Kinën. Disa marrin një qasje shumë agresive. Nuk ka ende zgjidhje se si të sillemi me Rusinë dhe ne tashmë po e shohim këtë qëndrim agresiv ndaj Kinës”, tha Kalin.
"Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë. Në të gjitha këto fusha, ka një debat se si Evropa dëshiron të pozicionohet si një lojtar global në shekullin XXI”, shtoi ai.
I pyetur se çfarë roli luan Türkiye në këtë, Kalin tha: "Ne duam të kemi një diskutim të sinqertë me aleatët tanë se çfarë lloj të ardhmeje të përbashkët kemi. Ne jemi pjesë e NATO-s, duam të bashkohemi me BE, por duam një marrëdhënie të barazisë bazuar në interesin dhe respektin reciprok”.