Kapiteni i THF-së Kütahya dhe djali tij humbën jetën në tërmet.     /Foto: trtspor.com.tr

Kapiteni i kombëtares turke të hendbollit, Cemal Kütahya dhe djali i tij Cinar Kütahya humbën jetën në tërmetin katastrofik që goditi rajonin jugor të Türkiyes javën e kaluar.

"Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e të dashurit tonë Cemal Kütahya, kapitenin e kombëtares sonë të hendbollit për meshkuj dhe djalit të tij Cinar, të cilët u mbuluan nga rrënojat e shtëpisë së tyre ku jetonin në Antakya", thuhet në deklaratën e Federatës së Hendbollit të Türkiyes (THF).

Duke i shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, THF-ja premtoi se do të bëjnë çmos që emri dhe kontributi i tij që ka dhënë për sportin të mos harrohen kurrë.

"Të falënderojmë për gjithçka që i dhe vendit tonë, Cemal. Jemi të kënaqur me ty, nuk do të të harrojmë", thuhet në deklaratë.

Kryetari i THF-së, Uğur Kilic, shkroi në llogarinë e tij në Twitter se Cemal Kutahya ishte njeri dhe sportist me zemër të madhe dhe kapiten në kuptimin e plotë të fjalës.

"Përqafove djalin, shkove në parajsë. Shprehim keqardhje të thellë. Ende nuk e kemi gjetur gruan dhe vjehrrën e Cemalit. Po punojmë në këtë drejtim", shkroi ndër të tjerash Kilic.

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave të Türkiyes (AFAD) njoftoi se më 6 shkurt tërmeti me magnitudë 7,6 goditi Türkiyen jugore dhe 10 provinca tjera, përfshirë disa rajone të Sirisë veriore.

TRT Balkan / agjencitë