Në Tiranë është mbajtur konferenca shkencore me temë "Shqipëria dhe Türkiye: ngritja e një partneriteti strategjik-100 vjet marrëdhënie diplomatike", me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme turke dhe shqiptare dhe studiuesve.
Në fjalën e tij përshëndetëse në hapje të konferencës, duke iu referuar partneritetit strategjik mes dy vendeve zyrtarizuar në janar të vitit 2021, drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin dhe Evropën Qendrore pranë Ministrisë së Jashtme turke, ambasadori İlhan Saygılı theksoi se tani ka një partneritet të fortë dhe do të ketë sipas tij dhe një mekanizëm në nivel më të lartë, për të organizuar takime të përbashkëta të kabinetit.
"Këto marrëdhënie bazohen në historinë tonë të përbashkët. 600 vjet kemi jetuar bashkë, krah për krah për shekuj të tërë dhe prandaj Shqipëria është një nga vendet e para me të cilët Türkiye ka nënshkruar këtë traktat (Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Türkiyes i 15 dhjetorit 1923)", tha Saygılı.
Ai tha se përgëzon Shqipërinë për sukseset e saj në vitin 2022 dhe 2023 në shumë fusha dhe shtoi se vitin tjetër Shqipëria do të marrë përgjegjësi për kryesimin e organizatave rajonale.
"Kemi bashkëpunimin ushtarak. Jemi të nderuar që kontribuojmë për forcat e armatosura shqiptare me teknologjinë tonë të lartë me dronë. Jemi mirënjohës që kryeministri Rama kohët e fundit ka konfirmuar këtë performancë të dronëve tanë (dronët Bayraktar) në rrjetet sociale me një mesazh", tha Saygılı, duke shtuar se mes dy vendeve është rritur edhe vëllimi tregtar dhe se ka 600 kompani turke që operojnë në Shqipëri.
Ai shtoi se Shqipëria në Ballkan ose në Evropën Juglindore ka stabilitet dhe kjo sipas tij është e rëndësishme. "Qëndrimi i Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare është i rëndësishëm duke pasur parasysh problemet e njohura që kemi në rajon", u shpreh Saygılı.
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Mimi Kodheli u shpreh se sot Türkiye është me të drejtë një prej partnerëve strategjikë të Shqipërisë.
"Të dyja vendet tona janë anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe adresojnë në shumë organizma ndërkombëtarë. Sot ne punojmë së bashku jo vetëm për shkak të lidhjeve dhe historive të përbashkëta të së shkuarës, por për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të dyja vendet tona. Pa asnjë më të voglin dyshim, ne e dimë që miku ynë i shtrirë në të dy kontinentet është gjithmonë i gatshëm të na mbështesë dhe të bashkëpunojë, ashtu siç ne dimë ta bëjmë këtë më së miri me ta, në raport me ta, në raport me rajonin dhe në raport me të ardhmen tonë të përbashkët", u shpreh Kodheli.
Në ceremoninë e hapjes në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori turk në Tiranë Tayyar Kağan Atay, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Skënder Gjinushi, drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin dhe Evropën Qendrore pranë Ministrisë së Jashtme turke, ambasadori İlhan Saygılı, drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë Ömer Osman Demirbaş, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri Mesut Özbaysar, kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë Mimi Kodheli, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke dhe shqiptare.