Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, homologët e tij arabë dhe myslimanë janë takuar me kryediplomatin spanjoll Jose Manuel Albaresto në Barcelonë për të diskutuar veprimet për të ndaluar luftën në Gaza, tha Ministria e Jashtme turke në një postim të përbashkët në X.
Fidan dhe Albaresto dhe ministrat e tjerë të jashtëm të caktuar nga Samiti i Jashtëzakonshëm i Përbashkët i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik-Lidhjes Arabe diskutuan gjithashtu të hënën veprimet për të arritur paqen e qëndrueshme në rajon.
Fidan udhëtoi në Spanjë për të marrë pjesë në forumin e tetë rajonal të Unionit të Mesdheut. Ministria tha se u diskutua për situatën kritike në konfliktin mes Palestinës dhe Izraelit dhe pasojat e saj për rajonin.
Ministri i Jashtëm turk u takua gjithashtu me homologun e tij irlandez Micheal Martin në margjinat e veprimtarisë.
Pauzë humanitare katërditore në Gaza
Një pauzë humanitare katërditore e ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe ShBA-ja hyri në fuqi të premten, duke ndaluar përkohësisht sulmet e Izraelit në Gazën e Palestinës.
Në dy ditët e para të pauzës, Hamasi dhe Izraeli shkëmbyen 41 izraelitë dhe të huaj për 78 palestinezë në burgjet izraelite.
Sipas marrëveshjes, pengjet dhe të burgosurit do të lirohen në grupe gjatë katër ditëve.
Izraeli nisi një sulm masiv ushtarak në Gaza pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor.
Që atëherë ka vrarë të paktën 14.854 palestinezë, duke përfshirë 6.150 fëmijë dhe më shumë se 4.000 gra, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavën e rrethuar nga Izraeli. Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1.200.