Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se përmasat e dy tërmeteve të 6 shkurtit në Türkiye "nuk mund të shpjegohen me fjalë".
Kryediplomatja gjermane, bashkë me ministren e Brendshme gjermane Nancy Faeser, vizituan provincën turke Kahramanmaraş për të parë nga afër situatën në terren.
Dy ministret gjermane vizituan një lokacion ku janë ngritur tenda, si dhe një qendër mjekësore të krijuar nga vullnetarët gjermanë në qarkun Pazarcık të Kahramanmaraşit, epiqendra e njërit prej tërmeteve. Më pas, ata dhanë deklaratë për mediat në qendër të qytetit, ku folën për përshtypjet e tyre.
"Përmasat e kësaj fatkeqësie të tërmetit nuk mund të shprehen me fjalë edhe nëse ndodheni këtu", tha Baerbock.
Siç tha ajo, Berlini zyrtar ka dhënë një ndihmë shtesë prej 50 milionë eurosh, duke e çuar kontributin total të vendit në 108 milionë euro, për të ndihmuar Türkiyen dhe Sirinë pas tërmeteve. Ajo tha se pakoja e ndihmës përfshin gjithashtu tenda, furnizime mjekësore, ushqime, batanije dhe gjeneratorë.
Kryediplomatja gjermane tha se qeveria po lehtëson gjithashtu procesin e dhënies së vizave për ata që kanë familjarë në Gjermani, duke theksuar se është vënë në dispozicion një autobus i cili mbledh aplikime për viza, në mënyrë që të pranohen dhe të përpunohen aplikimet për viza në nivel lokal.
Ministrja e Brendshme Faeser tha se donin të tregonin solidaritet me viktimat e fatkeqësisë dhe se ata takuan familjet që humbën shtëpitë dhe të dashurit e tyre.
Faeser tha se ata jo vetëm që ndien trishtimin e njerëzve, por edhe dëshmuan se sa mirë po shpërndaheshin pakot gjermane të ndihmës në rajonin e goditur nga tërmeti, duke treguar "lidhjen e thellë midis gjermanëve dhe popullit turk".