Urimet e para për fitoren e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në balotazhin presidencial vijnë nga lideri i Katarit, i Hungarisë, i Somalisë dhe ai i Pakistanit.
“Vëllai im i dashur, ju përgëzoj për fitoren tuaj dhe ju uroj sukses në mandatin tuaj të ri, të arrini atë që populli vëlla turk aspiron në aspektin e përparimit dhe prosperitetit”, shkroi në Twitter Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Al-Thani.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, po ashtu e përgëzoi presidentin Erdoğan për, siç shkroi ai në Twitter, “fitoren e tij të padiskutueshme në zgjedhje”.
Gjithashtu, edhe zyra e presidentit të Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, e uroi presidentin Erdoğan, duke shkruar në gjuhën turke, “Përgëzime Türkiye vëllazërore dhe miqësore”.
Ndërkaq, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, në mesazhin e tij të urimit e përshkroi presidentin Erdoğan si “një nga liderët e paktë botërorë, politika e të cilit është ankoruar në shërbimin publik”.
Kreu i Këshillit të Lartë Zgjedhor të Türkiyes (YSK), Ahmet Yener, njoftoi se sipas 75,42 për qind të votave të numëruara në mbarë vendin, Erdoğan kryeson në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 53,41 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 46,59 për qind të votave.
Mbi 64,1 milionë qytetarë turq patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, përfshirë mbi 1,92 milion qytetarë të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë vendit.
Gjithsej 191.885 kuti votimi u vendosën në qendrat e votimit në mbarë Türkiyen.
Më 14 maj, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 për qind të votave në raundin e parë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind.
Trump: E përgëzoj presidentin Erdoğan për fitoren e merituar
Ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka uruar presidentin Recep Tayyip Erdoğan për suksesin e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Trump, i cili është kandidat për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në vitin 2024, ndau në faqen e tij të rrjeteve sociale TruthSocial këtë urim: “Unë e përgëzoj Presidentin Recep Tayyip Erdoğan për fitoren e tij të madhe dhe të merituar në Türkiye”. Trump tha gjithashtu: "Unë e njoh mirë atë, ai është një mik. Mësova nga dora e parë se sa shumë ai e do vendin e tij dhe popullin e madh turk, të cilin ai e ngriti në një nivel të ri njohjeje dhe prestigji".
Putin uron presidentin Erdoğan për suksesin në zgjedhje
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka uruar homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin e tij në zgjedhjet presidenciale, transmeton Anadolu.
Kremlini njoftoi se presidenti rus tha se vlerëson kontributin e presidentit turk në forcimin e “marrëdhënieve miqësore” midis Moskës dhe Ankarasë, si dhe shprehu gatishmërinë e tij për vazhdimin e “dialogut konstruktiv” në agjendën dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare.
“Fitorja në zgjedhje ishte një rezultat i natyrshëm i punës suaj vetëmohuese si kreu i Republikës së Türkiyes, dëshmi e qartë e mbështetjes së popullit turk për përpjekjet tuaja për të forcuar sovranitetin shtetëror dhe për të ndjekur një politikë të jashtme të vetëqëndrueshme dhe të pavarur”, tha Putin.
Më tej, Putin theksoi se Rusia i kushton rëndësi të madhe zbatimit të mëtejshëm të projekteve të përbashkëta me Türkiyen, duke përfshirë termocentralin bërthamor ‘Akkuyu’ në Türkiyen jugore dhe themelimin e një qendre gazi në vend.
Sipas të dhënave nga Këshilli Suprem Zgjedhor (YSK) nga 99,43 për qind të votave të numëruara, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale Erdoğan kryeson me 52,14 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 47,86 për qind të votave.
Më 14 maj, asnjë kandidat nuk fitoi 50 për qind të votave të kërkuara, duke çuar zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind. Në atë datë, aleanca e tij elektorale gjithashtu fitoi një shumicë në parlamentin turk.
Zelenskyy uron presidentin Erdoğan: Shpresojmë që bashkëpunimi ynë të rritet për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka uruar presidentin Recep Tayyip Erdoğan për suksesin e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Türkiye, transmeton Anadolu.
Zelenskyy publikoi një mesazh urimi në gjuhën turke nga llogaria e tij në rrjetet sociale.
“Përgëzoj presidentin Recep Tayyip Erdoğan për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale. Shpresojmë që bashkëpunimi ynë të rritet për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës dhe që partneriteti ynë strategjik të forcohet më tej për të mirën e vendeve tona”, shkroi Zelenskyy.
Biden përgëzon Erdoğanin për rrizgjedhjen e presidentit të Türkiyes
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, përgëzon rizgjedhjen e presidentit turk Erdoğan, duke thënë se ai pret të vazhdojë të punojë së bashku për çështjet dypalëshe dhe sfidat globale