Luvianët e Türkiyes: Zbërthimi i një historie të lashtë / Photo: AA

E fshehur për shekuj, kultura luviane po shfaqet si një pjesë thelbësore e enigmës antike të Anadollit, duke transformuar të kuptuarit tonë për epokën e bronzit të Türkiyes. Studimet e fundit tregojnë se kjo kulturë e anashkaluar, jo vetëm që ka formësuar peizazhin politik të Mesdheut Lindor, por gjithashtu mund të shpjegojë disa nga misteret më të mëdha të historisë, si Lufta e Trojës dhe rënia e Perandorisë Hitite.

"Nëse shqyrtojmë hartën e kulturave të njohura në Mesdheun Lindor rreth vitit 1.200 pes, zbulojmë se pjesa perëndimore e Türkiyes mbetet dukshëm bosh," tha në një intervistë për Anadolu, Eberhard Zangger, një gjeoarkeolog zviceran dhe kreu i Fondacionit të Studimeve Luviane (Luwian Studies Foundation).

"Qytetërimi mikenas mezi preku kontinentin e Anadollit, me përjashtim të disa porteve të izoluara, ndërsa hititët u përqëndruan kryesisht në pjesën qendrore të Azisë së Vogël, vetëm herë pas here duke vendosur kontrollin mbi territoret perëndimore. Ky rajon pjellor, megjithatë, i pasur me burime natyrore, luajti një rol vendimtar në peizazhin historik", tha Zangger, duke sugjeruar se pa llogaritur luvianët, "ne kemi vështirësi për të adresuar çështjet kryesore historike, siç është konteksti i Luftës së Trojës, i cili duket i papranueshëm pa luvianët, madje ngjan edhe si pjesë e një trillimi".

Ai tha se studiuesit e fondacionit kanë filluar të mbledhin të dhëna për luvianët, ndikimi i të cilëve mund të shtrihet në qindra vendbanime në Türkiye që datojnë në kohën e Luftës së Trojës. "Fondacioni i Studimeve Luviane ka nxjerrë në pah një kulturë që lulëzoi në epokën e bronzit me të paktën 483 vendbanime të mëdha, disa të banuara deri në 5000 vjet", tha Zangger. Teksa shumë nga këto lokalitete mbeten të paprekura, ai paralajmëron se "bujqësia, aktivitetet ndërtimore dhe ekspozimi janë kërcënime të vazhdueshme".

Zangger theksoi se gjetja e më shumë qendrave mbretërore përtej qytetit të njohur të Trojës mund të ishte revolucionare. "Pjesa Perëndimore e Azisë së Vogël kishte shumë mbretëri të vogla, megjithatë Troja është e vetmja qendër mbretërore që njohim aktualisht. Gjetja e një lokaliteti tjetër mbretëror, eventualisht me arkiva, do të thellonte të kuptuarit e historisë së pasur të Türkiyes dhe do të tërhiqte vëmendjen globale", tha ai.

- Rrëfimi perëndimoro-centrist në ligjërimin arkeologjik

Anatolia e lashtë ka kohë që është anashkaluar në kërkimin arkeologjik, vuri në dukje Zangger.

Ai shpjegoi se pjesa më e madhe e arkeologjisë së hershme të Evropës Perëndimore u ndikua shumë nga filhelenizmi, një lëvizje e shekullit të 18-të dhe 19-të që lartësonte kulturën greke dhe shpesh pasqyronte epërsinë evropiane në kundërshtim me Perandorinë Osmane. Ky paragjykim, tha Zangger, çoi në një rrëfim perëndimoro-centrist që dominon ende sot në ligjërimin arkeologjik.

"Në atë kohë, përpjekjet arkeologjike nga studiuesit e Evropës Perëndimore shpesh synonin legjitimimin e dominimit evropian, përforcimin e nocionit të epërsisë perëndimore dhe justifikimin e shfrytëzimit të kulturave të huaja gjatë kolonializmit", tha ai, duke shtuar: "Kjo perspektivë ndihmoi për të bashkuar një Evropë, të fragmentuar politikisht, për t'iu kundërvënë Perandorisë Osmane". Megjithëse këto "vlera të vjetruara" janë diskredituar në masë të madhe, Zangger vlerson se shumë nga strukturat dhe paradigmat e krijuara gjatë kësaj epoke mbeten të ngulitura, veçanërisht në tekstet shkollore.

Studimi i kulturës luviane, theksoi Zangger, është pionier i një qasjeje të re, të udhëhequr nga shkenca, pa paragjykime koloniale. Ai tha se Fondacioni i Studimeve Luviane, një iniciativë private jofitimprurëse, ka qenë e rëndësishme në këtë ndryshim, duke shtuar: "Si rezultat i punës së fondacionit, ne tani kemi një pamje më të qartë të asaj që ndodhi në Mesdheun Lindor rreth vitit 1.200 pes, dhe ne mund të gjurmojmë ngjarjet që përfundimisht çuan në rënien e kulturave të ndryshme të epokës së bronzit".

- Trashëgimia arkeologjike e Türkiyes posedon "mundësi të pafundme"

Zangger beson se trashëgimia e pasur arkeologjike e Türkiyes posedon "mundësi të pafundme" për të zbuluar njohuri të reja në epokën e bronzit. Pavarësisht përqendrimit shekullor në lokalitetet greke dhe romake, ai këmbëngul se Anatolia e Epokës së Bronzit ende mban histori të panumërta të patreguara.

"Unë besoj se shumë zbulime të rëndësishme janë ende në pritje për t'u bërë, veçanërisht pasi shumica e gërmimeve janë fokusuar kryesisht në lokalitetet greke dhe romake", tha ai, duke shtuar: "Teksa kuptimi ynë për kulturat e Anadollit të epokës së bronzit mbetet i kufizuar, ne kemi disa të dhëna intriguese për misteret e mëdha arkeologjike të rajonit".

Teksa interesi rritet, Zangger theksoi se ruajtja e këtyre lokaliteteve arkeologjike është një përgjegjësi jetike. "Ruajtja e jashtëzakonshme e shumë prej këtyre lokaliteteve është një bekim, por edhe një përgjegjësi", thekson ai. Zangger beson se teknologjia e avancuar mund të jetë çelësi për të eksploruar më tej lokalitetet luviane. "Tani mund të përdorim skanimet ajrore me dronë dhe helikopterë për të studiuar lokalitete të ndryshme. Nëse marrim lejet e nevojshme, këto projekte fillestare mund të çojnë në gjetje novatore", tha ai.

Për shembull, sipas gjeoarkeologut, skanimet ajrore të Fushës së Trojës mund të zbulojnë shtrirjen e plotë të qytetit antik dhe modeli i detajuar fotogrametrik i shenjtërores shkëmbore Yazılıkaya mund të integrohet në softuerin e astronomisë për të kuptuar lidhjet e tij me yjet. Duke përdorur këto teknika moderne, Zangger thekson: "Ne mund të përmirësojmë në mënyrë efektive dukshmërinë e historisë së pasur kulturore të Türkiyes përtej lokaliteteve të njohura greko-romake".

TRT Balkan / agjencitë