Manastiri Sumela në Türkiye, magnet për turistët.     /Foto: AA

Manastiri i lashtë Sumela në provincën turke të Trabzonit në rajonin e Detit të Zi, sipas autoriteteve turke ka pritur rreth 600 mijë vizitorë që nga restaurimi në vitin 2021.

“Pas restaurimit, manastiri u rihap më 1 korrik 2021 dhe mirëpriti 597.742 vizitorë deri më 29 qershor 2023, pavarësisht se ishte i mbyllur për periudha të caktuara”, tha për Anadolu Tamer Erdoğan, drejtori i Drejtorisë Provinciale të Kulturës dhe të Turizmit në Trabzon.

I njohur gjithashtu si Nënë Mari, ose Virgjëresha Mari, manastiri është i gdhendur në shkëmbinj në një zonë të pyllëzuar në shpatin e malit Karadağ në Maçka, 300 metra mbi luginën Altındere.

Manastiri, i cili është i përfshirë në listën e përkohshme të UNESCO-s të vendeve të Trashëgimisë Botërore, u rihap për praktikë fetare më 15 gusht 2010, me leje nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit, pas një ndërprerjeje prej dekadash.

Manastiri Sumela me famë botërore, një nga vendet e rëndësishme të turizmit fetar të Türkiyes, u mbyll për vizitorët në shtator 2015 për shkak të rrezikut të rënies së gurëve.

Restaurimi i kompleksit të manastirit filloi në shkurt 2016 dhe përfundoi pas studimeve gjeologjike dhe gjeoteknike dhe forcimit të shkëmbinjve.

Ndërtesa e lashtë u rihap më 1 korrik 2021 dhe u mbyll përkohësisht më 1 nëntor të po atij viti për shkak të rrezikut të rënies së gurëve. U hap sërish në maj të vitit të kaluar.

TRT Balkan / agjencitë