Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, në kuadër të Forumit të Aleancës së Qytetërimeve u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres.
Në një postim nga llogaria e tij në median sociale, Çavuşoğlu njoftoi se u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së në kuadër të forumit i cili mbahet në qytetin Fez të Marokut.
"Me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, diskutuam zhvillimet e fundit në Ukrainë, Marrëveshjen e Istanbulit për Drithin; si dhe zhvillimet rajonale përfshirë Sirinë dhe Libinë", deklaroi Çavuşoğlu.
Qyteti Fez, pret Forumin e 9-të Global të Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së dhe Takimin Ministror të Grupit të Miqve të Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së që do të mbahet në këtë kuadër.
Në forumin që do të zgjasë dy ditë, do të diskutohet nevoja për bashkëjetesën si dhe inkurajimin e pasurisë kulturore dhe diversitetit.
Në Forumin e 9-të Global të Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së i cili filloi këtë mëngjes dhe në të cilin shumë vende përfaqësohen në nivelin e ministrave të ndryshëm, marrin pjesë delegacione nga 96 vende dhe mbi një mijë aktivistë që punojnë për mirëkuptimin dhe respektin ndaj kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme nga e gjithë bota.