Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se beson se së shpejti do të arrihet "rezultat i mirë" në drejtim të ringjalljes së marrëveshjes së drithërave të Detit të Zi që do të përmbushë pritshmëritë e nevojshme.
"Rivitalizimi i nismës është prioritet për gjithë botën. Ne jemi në kontakt të ngushtë me OKB-në për këtë çështje", u tha Erdoğan gazetarëve të hënën vonë në avionin presidencial ndërsa kthehej nga vizita njëditore që zhvilloi në Rusi.
Erdoğan tha se do ta diskutojë këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres në New York më vonë këtë muaj në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
"Dëshiroj të ritheksoj se ne vlerësojmë dhe mbështesim përpjekjet e Guterresit, sekretarit të përgjithshëm", shtoi ai.
Erdoğan zhvilloi të hënën një vizitë pune njëditore në qytetin bregdetar rus të Soçit për të diskutuar me presidentin Vlladimir Putin çështje rajonale dhe globale, si dhe lidhjet dypalëshe. Ringjallja e marrëveshjes historike të vitit të kaluar të drithërave të Detit të Zi që ndihmoi në lehtësimin e krizës globale të ushqimit ishte çështje kryesore në takim.
Türkiye thotë se marrëveshja duhet të rifillojë duke mënjanuar një sërë mangësish që janë identifikuar dhe se nuk ka alternativë ndaj nismës pasi propozimet e tjera kanë dështuar të ofrojnë një model "të qëndrueshëm dhe të sigurt", të bazuar në bashkëpunimin ndërmjet palëve.
Këtë korrik, Moska pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Türkiye dhe OKB-ja për rifillimin e eksporteve të drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi që u ndaluan pas luftës Ukrainë-Rusi, e cila filloi në shkurt 2022.
Moska është ankuar se Perëndimi ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të veta për eksportet e drithit të Rusisë dhe se nuk po shkonte mjaftueshëm drith ukrainas në vendet në nevojë. Ajo thotë se kufizimet në pagesa, logjistikë dhe sigurime kanë qëndruar në rrugën e dërgesave të saj.
"Si rezultat i kontributeve tona, OKB-ja ka përgatitur një paketë të re që do t’i hapë rrugën rivitalizimit të iniciativës. Gjatë vizitës së tij në Moskë, ministri i Jashtëm (turk) (Hakan Fidan) diskutoi aspektin teknik të kësaj pakete të re të propozimeve me homologun e tij rus (Sergey) Llavrov", tha gjithashtu Erdoğan.
"E diskutova në detaje këtë çështje edhe unë me Putinin sot. Besoj gjithashtu se do të arrijmë një rezultat të mirë që do të përmbushë pritshmëritë brenda një kohe të shkurtër", shtoi ai.
Erdoğan shprehu gjithashtu shpresën se lufta Rusi-Ukrainë do të përfundojë me një paqe "të drejtë dhe të qëndrueshme" në bazë të ligjit ndërkombëtar, duke përsëritur se Ankaraja është e gatshme të bëjë pjesën e saj.
Türkiye, e vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i ka kërkuar vazhdimisht Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës nëpërmjet bisedimeve.