Mbahet konferenca ndërkombëtare mbi marrëdhëniet Türkiye-Shqipëri.     /Foto: AA 

Në Tiranë është mbajtur konferenca ndërkombëtare me temë “Marrëdhëniet Türkiye-Shqipëri – E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga Türkiye dhe Shqipëria, ambasadorëve, përfaqësuesve të organizatave të ndryshme dhe studiuesve.

Zëvendësministri turk i Punëve të Jashtme, Mehmet Kemal Bozay, gjatë fjalës në konferencë shprehu mirënjohjen për solidaritetin e ofruar nga populli shqiptar dhe qeveria shqiptare pas tërmeteve në Türkiye, duke shtuar se mbështetja dhe solidariteti nuk do të harrohen kurrë dhe populli turk gjithnjë do ta kujtojë se kë ka pasur në krah në kohë të vështira.

Bozay theksoi se marrëveshjen e miqësisë mes dy vendeve duhet ta zhvillojnë në bazë të termave të reja.

"Ne duhet t'u përshtatemi rregullave të sistemit të ri, sidomos të procesit të aderimit në BE. Kemi të bëjmë me transformim, me marrëveshjen e gjelbër, me agjendën digjitale dhe në mënyrë që të jemi në të njëjtën linjë me kërkesat e BE-së dhe për të respektuar nivelet e marrëveshjes së klimës Shqipëria dhe Türkiye duhet të shfrytëzojnë këtë marrëdhënie miqësie për të ndjekur të njëjtën linjë, për të ndjekur të njëjtat standarde sikurse standardet botërore. Ne duhet të punojmë së bashku në këtë drejtim", tha Bozay.

Bozay theksoi se beson se bashkëpunimi 100-vjeçar mes Türkiyes dhe Shqipërisë do të zhvillohet më tej në disa fusha kryesore si energjetika, bujqësia, turizmi, shëndetësia, zhvillimi rural dhe inovacioni.

"Shohim shumë elemente të përbashkëta kulturore në Berat, Shkodër, Krujë, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Tiranë, Elbasan dhe kudo në Türkiye ne gjejmë një lidhje me Shqipërinë dhe gjithashtu ne kemi dhe karakteristika të përbashkëta me këtë vend të bukur. Jam i sigurt se besimi dhe bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të jetë shembullor për të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe për gjithë globin”, tha Bozay.

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Megi Fino, në fjalën e saj tha se filozofia e bashkëpunimit ka qenë në thelb të marrëdhënieve 100-vjeçare dhe shtoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Türkiyes kanë zhvilluar natyrën e tyre vëllazërore dhe strategjike, megjithëse sipas saj, partneriteti strategjik u nënshkrua në vitin 2021.

"Türkiye ka treguar bujarinë e vet në mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë, sikurse ka bërë me votimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, me ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë në vitin 1991 dhe 1997, ka treguar mbështetje për Shqipërinë në anëtarësimin në NATO, ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka ofruar ndihma bujare pas tërmetit shkatërrues dhe gjatë pandemisë. Të gjitha këto janë shembuj për të cilët ne i shprehim mirënjohjen Türkiyes", tha ajo.

Fino theksoi se sot Shqipëria dhe Türkiye zhvillojnë partneritet strategjik në të gjitha aspektet me interes mes dy vendeve.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë Shqipëri-Türkiye (ATTSO), Bilal Kara, tha se sot jo vetëm që festojnë këtë përvjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Türkiyes dhe Shqipërisë, por gjithashtu shijojnë edhe marrëdhëniet e forta ekonomike.

"Kemi arritur synimet e shprehura nga institucionet qeveritare të Türkiyes dhe Shqipërisë. Është privilegj dhe nder që brezi ynë të shohë këtë bashkëpunim vëllazëror. Sot jemi të lumtur të shohim se kjo lidhje e bukur mes dy vendeve është reflektuar edhe në fushën ekonomike dhe të biznesit", u shpreh Kara.

Kryetari i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS), Albert Rakipi, tha se gjatë 30 viteve të fundit marrëdhëniet shqiptaro-turke janë zhvilluar në mënyrë lineare, të qëndrueshme. "Është një nga rastet unike ku në marrëdhëniet mes dy vendeve nuk ka ulje-ngritje, por ka një dinamikë që shkon gjithmonë në thellimin e marrëdhënieve dhe gjithmonë duke thelluar dimensionin strategjik të këtyre marrëdhënieve", tha Rakipi.

Pjesë e konferencës me fjalimet e tyre ishin edhe ish-nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, zëvendësrektori i universitetit të Fondacionit Turk Maarif, Universitetit të New Yorkut në Tiranë, prof. asoc. Ilir Kalemaj, si dhe Mehmet Uğur Ekinci, studiues në Fondacionin SETA, Ankara.

Gjithashtu, në aktivitet të pranishëm ishin edhe ambasadori turk në Tiranë Tayyar Kağan Atay, koordinatori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë Ömer Osman Demirbaş, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë Emine Gizem Başkan, dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri.

Konferenca u mbajt në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve Türkiye-Shqipëri dhe u bashkorganizua nga AIIS, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Ambasada turke në Tiranë dhe ATTSO-ja.

AA