Në premierën e episodit të parë, të mbajtur në Qendrën e Kongreseve Halic morën pjesë drejtori i Drejtorisë për Komunikim në Presidencën e Türkiyes, prof. dr. Fahrettin Altun, si dhe aktorët dhe ekipi realizues i serialit.
Drejtori gjeneral i TRT-së, Mehmet Zahid Sobaci, u tha gazetarëve se TRT-ja si transmetues publik, përpiqet të realizojë projekte që kanalet private vështirë se mund t'i realizojnë:
“Si shërbim publik i Türkiyes, ne e konsiderojmë përgjegjësinë tonë të ruajmë historinë, vlerat kombëtare, shpirtërore dhe kulturore, të tregojmë historitë heroike të të parëve tanë dhe të nxjerrim në ekran faqet e lavdishme të historisë sonë të nderuar”.
Sobaci theksoi se janë përgatitur me shumë kujdes për projektin “Mehmedi: Sulltani Çlirues” dhe shtoi: "Në setet ndërkombëtare të filmit, ndërtuam ndërtesa historike në formën e tyre origjinale. Për episodin e parë të serialit tonë, ne xhiruam me ditë në Noor Cinema City, një nga studiot më të rëndësishme të filmit në Egjipt.
Punësuam yllin e Hollivudit Gassana për të luajtur rolin e rëndësishëm të personazhit Eyup el-Ensari. Xhirimi i vetëm episodit të parë zgjati 30 ditë. U prodhuan më shumë se 20.000 kostume. Për të rikrijuar çlirimin e Istanbulit, ne prodhuam 50 topa osmanë, 50 topa hungarezë dhe 50 topa anijesh. Një ekip i madh prej 500 artistësh ndërtuan dekorimet. Dekorimet dhe rekuizitat janë të dizajnuara veçanërisht nga modelimi tredimensional. Prandaj, ne kemi bërë një përpjekje të madhe për të krijuar një vepër të denjë për fitoren e madhe të Fatih Sulltan Mehmet-hanit. Ne e dimë se historia jonë është një histori e luftës dhe fitores. Një nga fitoret më të rëndësishme në historinë tonë është fitorja e Istanbulit. Kjo fitore është një pikë kthese në historinë botërore."
Serialet turke arrijnë në 750 milionë njerëz në më shumë se 170 vende
Dr. Batuhan Mumcu, zëvendësministër i Kulturës dhe i Turizmit, theksoi rëndësinë e serialit me atë që do të trajtojë një nga fitoret e rëndësishme të Perandorisë Osmane, duke vlerësuar produksionin e madh që qëndron pas tij dhe duke përgëzuar të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht TRT-në.
Mumcu theksoi se serialet turke gëzojnë një popullaritet të madh në mbarë botën, duke vënë në dukje se ato transmetohen në më shumë se 170 vende, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Rusi, nga Lindja e Largët, në Amerikën Latine, duke arritur afër 750 milionë shikues.
Mumcu vuri në dukje se industria turke e filmit dhe televizionit është ndër tri vendet e para në botë për sa i përket prodhimit dhe theksoi se serialet turke luajnë një rol të madh në promovimin e Türkiyes dhe kulturës turke në rajonet ku ato transmetohen.
Ai shtoi se Ministria do të vazhdojë me përpjekjet dhe mbështetjen intensive për të mbështetur zhvillimin e industrisë së filmit dhe televizionit dhe rritjen e numrit të prodhimeve cilësore.
“Punojmë me përkushtim”
Aktori Sinan Albayrak tha për AA se në produksion ka luajtur personazhin “Zagan Pasha”, duke shtuar:
"Ne me të vërtetë e realizuam projektin me një buxhet të madh dhe përgatitje të mëdha. Na u desh t'i shpejtonim përgatitjet që të dilnim sa më shpejt në transmetim. Jemi vërtet të përfshirë në një mjedis pune shumë të përkushtuar."
Albayrak theksoi se luan një personazh të rëndësishëm me të cilin Fatih Sulltan Mehmedi ka luftuar krah për krah, duke theksuar se Zagan Pasha është një personazh i besueshëm, i vendosur, dhe i disiplinuar.
"Publiku mund të presë një aventurë që do t’i lëjë pa frymë"
Aktori Ali Nuri Turkoglu theksoi se kanë krijuar një vepër që tregon në detaje se si ndodhi pushtimi i Istanbullit, duke theksuar:
"Unë luaj një personazh si Princi Orhan që do t'i zemërojë dhe trishtojë pak shikuesit. Ata mund të presin vërtet një aventurë emocionuese që do t’i lëjë pa frymë. E pres me padurim ta shikoj me publikun. Kjo është me të vërtetë një punë për të cilën të gjithë jemi jashtëzakonisht të emocionuar. Gjithashtu, përpiqemi të jemi pjesë e projekteve që edhe vetë mund t'i shikoj."
Turkoglu tregoi gjithashtu se si xhirimet ishin të rehatshme, por edhe sfiduese, duke thënë:
"Nuk ka kënaqësi në atë që është e lehtë. Kjo është punë e vështirë. Kemi shumë skena me kuaj, sigurisht që është sfiduese. Kemi dimër, baltë, shi , por nëse punës i përkushtohesh me dashuri, atëherë bëhet kënaqësi. Ne punojmë vërtet me entuziazëm gjatë xhirimeve. Dhe garojmë me kohën. Publiku i TRT-së meriton projekte të mira. Kohët e fundit projekte si ky theksojnë rëndësinë e përgjegjësisë së transmetimit”.
Producent i serialit është Eyup Gokhan Ozekin, dhe regjisor Safak Bal, ndërsa në kast janë edhe Serkan Cayoglu, Selim Bayraktar, Fikret Kuskan, Tuba Unsal, Kenan Coban, Bulent Alkis, Seckin Ozdemir dhe Esila Umut.
Episodi i parë i serialit, i cili tashmë është transmetuar, mban këtë përshkrim:
“Mehmed Khan tronditet nga vdekja e papritur e Princit Alaaddin dhe tërhiqet në Bursa. Vendin e tij e zë djali i tij, Princi Mehmed. Edhe pse Mehmeti iu duket i papërvojë vendeve evropiane, situata është ndryshe në realitet. Sulltan Mehmeti, pas marrjes së fronit, përballet me betejën e tij të parë të madhe kundër Orhanit, i cili gjeti strehim në Kostandinopojë dhe fitoi mbështetje. Orhan, duke besuar se Mehmeti është i ri dhe pa përvojë, përpiqet ta mposhtë atë, ndërsa Mehmeti përpiqet të dëshmohet se ai është pronari i fronit. Sulltan Mehmeti ka një qëllim në mendje: të pushtojë Kostandinopojën. Ai mbledh vezirët e tij për të arritur këtë qëllim, por njerëzit rreth tij nuk e kuptojnë qëllimin e Mehmedit. Një grup i drejtuar nga Çandarli përpiqet të bindë Mehmedin se pushtimi i Kostandinopojës është një detyrë e vështirë”.