Më 1 mars fillon mësimi në disa rajone të prekura nga tërmeti në Türkiye.     /Foto: AA

Nxënësit në katër provinca të Türkiyes të prekura nga tërmetet që nga 1 marsi po kthehen në shkollë, tha të hënën (20 shkurt) ministri i Arsimit Kombëtar Mahmut Özer.

"Nga 1 marsi, ne vazhdojmë arsimin në qendrat e qyteteve dhe të gjitha rrethet e provincave Adana, Kilis, Diyarbakir dhe Sanliurfa”, tha Özer, në paraqitjen para gazetarëve në provincën Malatya, një nga zonat e goditura rëndë nga tërmetet e 6 shkurtit.

Ai shtoi se në provincat Gaziantep dhe Osmaniye, pushimet për shkak të tërmetit janë zgjatur deri më 13 mars, ndërsa në Adiyaman, Malatya, Kahramanmaras dhe Hatay, mësimi pritet të fillojë më 27 mars.

“Ne nuk do të fillojmë arsimin në asnjë ndërtesë që nuk ka një raport të rezistencës ndaj tërmeteve”, shtoi Özer.

Të hënën, studentët u kthyen në shkolla në gjithë Türkiyen, me përjashtim të 11 provincave të prekura nga tërmeti.

Të paktën 41.100 njerëz humbën jetën në dy tërmete të fuqishme që tronditën jugun e vendit më 6 shkurt.

Më shumë se 13 milionë njerëz u prekën nga tërmetet shkatërruese.

Tërmetet tronditën gjithë rajonin dhe në Sirinë fqinje më shumë se 3.600 njerëz humbën jetën, ndërsa më shumë se 14.000 u lënduan.

TRT Balkan / agjencitë