Ministri i Jashtëm i Türkiyes Mevlüt Çavuşoğlu njoftoi se takimi katërpalësh i ministrave të Jashtëm të Türkiyes, Rusisë, Iranit dhe regjimit të Asadit mund të mbahet më 10 maj në Moskë.
Çavuşoğlu iu përgjigj pyetjeve rreth zhvillimeve në agjendën ditore në një transmetim të drejtëpërdrejtë në transmetuesin turk NTV.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse vallë do të ketë takim me temë Sirinë në Moskë, para zgjedhjeve në Türkiye, Çavuşoğlu tha se kjo mund të ndodhë me shumë gjasa. Ai rikujtoi se më parë janë zhvilluar mbledhje përgatitore në kuadër të një udhërrëfyesi, ndërsa tregoi se janë bërë edhe takime në nivel të inteligjencës, ministrave të Mbrojtjes, teknike si dhe të zëvendësministrave të Jashtëm.
Kryediplomati turk njoftoi se nga pala ruse ka ardhur një propozim-datë lidhur me takimin. "Ndoshta një takim i tillë do të zhvillohet më 10 maj", tha ai duke shtuar se takimi planifikohet të mbahet në Moskë. Çavuşoğlu foli edhe lidhur me tensionin që ka ndodhur mes qytetarëve turq që kishin dalë të votojnë dhe mbështetësve të PKK-së në qytetin francez Marseille, duke theksuar se kanë paralajmëruar francezët.
Çavuşoğlu foli edhe për "Monumentin Nemesis" të ngritur në Armeni. Ai tha se pas Luftës së Dytë të Karabakut, Azerbajxhani dhe Türkiye kanë hedhur shumë hapa për të normalizuar marrëdhëniet me Armeninë.
Duke theksuar se monumenti i ngritur është bërë për të lavdëruar organizatat terroriste që kanë vrarë diplomatët turq si dhe shtetasit turq dhe azerbajxhanas në vitet 1920-ta, Çavuşoğlu tha se kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionët armenë.
Ai shtoi se mund të marrin edhe masa të tjera në rast se vazhdon kështu pala armene.
"Kemi bërë përjashtim vetëm për kryeparlamentarin armen i cili do të marrë pjesë në mbledhjen e PABSEC (Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi) në Türkiye, sepse kjo është një mbledhje ndërkombëtare", shtoi ai.