Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, njoftoi se një takim i zëvendësministrave të mbrojtjes të Türkiyes, Rusisë dhe Ukrainës është planifikuar për më 5 maj në Istanbul, në lidhje me marrëveshjen për transportin e grurit.
Në korrik të vitit të kaluar, Türkiye, Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e grurit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi që u pezulluan pas fillimit të luftës ruso-ukrainase në shkurt 2022.
Një Qendër e Përbashkët Koordinuese (JCC) u krijua në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat e përfaqësuesve nga të tri vendet dhe OKB-së.
Akar po u përgjigjej pyetjeve në lidhje me "korridorin e grurit" të krijuar nga përpjekjet e Türkiyes për të eliminuar rrezikun e një "krize ushqimore" për shkak të luftës ruso-ukrainase.
Marrëveshja u zgjat me iniciativën e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe Akar tha se ai pati një takim dypalësh me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu si pjesë e një takimi të mbajtur në Moskë nga ministrat e mbrojtjes të Türkiyes, Rusisë, Sirisë dhe Iranit dhe krerët e shërbimeve të inteligjencës.
Ai kujtoi se më 18 prill në Kajseri u takua me ministrin ukrainas të Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov.
“Diskutuam edhe për nismën e grurit. Në këtë kontekst, si rezultat i pranimit të propozimit tonë nga të dyja palët, është planifikuar që të premten në Istanbul të takohen zëvendësministrat e mbrojtjes të Türkiyes, Ukrainës dhe Rusisë. Në takim do të diskutohet disa çështje, veçanërisht iniciativat e grurit”, tha Akar.
Ai u shpreh optimist se marrëveshja do të vazhdojë pa pengesa.
"Sepse kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për vendet që kanë nevojë, si dhe për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ne dëshirojmë ta zgjerojmë këtë nismë pa asnjë problem," shtoi Akar.