Ministri i Jashtëm Turk: Türkiye pret avancim të mardhënieve me BE-në.   /Foto: AA

Duke paraqitur buxhetin e ri të Ministrisë së Jashtme në Komisionin e Planifikimit dhe Buxhetit të Parlamentit, Hakan Fidan deklaroi të hënën se Türkiye mbetet e përkushtuar ndaj objektivit të anëtarësimit në BE dhe vazhdon të ndjekë politika konstruktive për të përmirësuar bashkëpunimin dhe dialogun në të gjitha fushat.

Fidan theksoi se BE-ja herë pas here është larg nga shfaqja e një vizioni strategjik, më së fundi në raportin e saj vjetor mbi vendin kandidat për në BE, Türkiyen.

"Sfidat me të cilat përballemi tregojnë se marrëdhëniet Türkiye - BE janë shumë strategjike për t'u reduktuar në ndjekjen mendjengushtë të interesave të disa vendeve anëtare. Ajo që presim nga BE-ja është të ndërmarrë hapa konkretë dhe kuptimplotë që do të ripërshpejtojnë bashkëpunimin mes nesh dhe procesit tonë konkret të anëtarësimit”, shtoi ai.

Duke thënë se "pesha dhe roli i Türkiyes si një aktor i stabilitetit dhe mirëqenies" në mes të krizave rajonale është i qartë, ai shtoi se do të ishte e dobishme si për Türkiyen, ashtu edhe për BE-në nëse BE-ja e merr parasysh këtë rol në të gjitha strategjitë e saj, përfshirë procesin e pranimit.

Raporti përsëriti kritikat ndaj Türkiyes me raportet e viteve të mëparshme për çështje si demokracia, të drejtat themelore dhe gjyqësori, kritika që zyrtarët turq i kundërshtojnë.

Türkiye aplikoi për anëtarësim në BE në 1987 dhe bisedimet e saj të pranimit filluan në 2005. Sipas Ankarasë, në vitet që pasuan, bisedimet në thelb janë ngrirë për shkak të bllokimeve politike nga disa anëtarë të BE-së për arsye që nuk lidhen me përshtatshmërinë e saj për anëtarësim.

Zgjidhja me dy shtete për Qipron

Në mosmarrëveshjen në ishullin e Qipros, Fidan tha se çelësi për një zgjidhje të drejtë, të përhershme dhe të qëndrueshme në ishull është njohja e të drejtave bazë të turqve qipriotë, barazia e tyre sovrane dhe statusi i barabartë ndërkombëtar.

“Nëse do të ketë negociata, do të jetë mes dy shteteve, jo mes dy komuniteteve, dhe statuset e të dyja palëve do të barazohen para se të ulen në tryezën e bisedimeve”, shtoi ai.

Duke nënvizuar se ata do të vazhdojnë të mbrojnë me ndjeshmëri të drejtat dhe interesat e Türkiyes në Egje dhe Mesdheun Lindor, Fidan tha se ata duan të avancojnë marrëdhëniet me Greqinë me një "dialog të sinqertë dhe konstruktiv të bazuar në një agjendë pozitive".

“Marrëdhëniet tona me Greqinë po evoluojnë në një drejtim pozitiv me ndihmën e diplomacisë së solidaritetit që është shfaqur kohët e fundit”,tha ai.

Qiproja është zhytur në një mosmarrëveshje prej dekadash midis turqve qipriotë dhe grekëve qipriotë, pavarësisht nga një sërë përpjekjesh diplomatike për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Türkiye mbështet plotësisht një zgjidhje me dy shtete në ishull të bazuar në barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar midis dy shteteve të saj.

Lidhjet dypalëshe

Sipas Fidanit, bashkëpunimi strategjik me vendet e Gjirit është çuar përpara përmes vizitave të nivelit të lartë, marrëveshjeve dypalëshe dhe mekanizmave të bashkëpunimit të nivelit të lartë.

Ai u shpreh se zhvillimet në marrëdhëniet politike kanë pasur efekte pozitive edhe në çështje të tjera.

"Vëllimi i përgjithshëm i tregtisë midis Türkiyes dhe gjashtë vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit është rritur më shumë se 12 herë në 20 vitet e fundit. Vizitat e presidentit tonë në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në korrik dhe marrëveshjet e nënshkruara gjatë këtyre vizitave përbëjnë një hap të rëndësishëm në këtë drejtim”, shtoi ai.

Duke theksuar se ata ndjekin një qasje në favor të integritetit territorial të Jemenit, Fidan tha se përpjekjet për zgjidhjen e krizës humanitare dhe politike në vend do të vazhdojnë bazuar në dialog dhe ndërmjetësim.

Për lidhjet me Egjiptin, ai tha se marrëdhëniet kohët e fundit hynë në një epokë të re me emërimin e ndërsjellë të ambasadorëve.

“Ne do të diversifikojmë marrëdhëniet tona me kontakte dhe vizita të ndërsjella në kuadër të mirëkuptimit dhe vullnetit të përbashkët me administratën egjiptiane”, shtoi ai.

Duke shtuar se është bërë përparim i rëndësishëm në marrëdhëniet me Algjerinë në tri vitet e fundit, ai tregoi se Erdoğan do të bëjë një vizitë zyrtare në Algjeri nesër.

Përpjekjet po vazhdojnë në Libi për të siguruar një zgjidhje politike që do të ruajë unitetin dhe integritetin e vendit dhe do të mundësojë vendosjen e stabilitetit të përhershëm, tha ai.

Fidan tha se Türkiye ka kontribuar për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik dhe social në vendet afrikane.

Ai shtoi se Türkiye, e cila u bë anëtare vëzhguese e Bashkimit Afrikan në vitin 2005, u shpall partner strategjik i kontinentit në një samit të AU-së në vitin 2008.

Duke theksuar se Politika e Partneritetit Afrikan të Ankarasë, e cila u shpall në vitin 2013, është ndjekur me sukses, Fidan tha: "Ne mirëpritëm gjithashtu pranimin e Bashkimit Afrikan, anëtarësimin G20 e të cilit ne mbështesim, në samitin e mbajtur në Nju Delhi këtë vit."

AA