Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Türkiyes, Abdulkadir Uraloğlu, deklaroi se kanë bërë inspektimet e nevojshme në aeroportet e Damaskut dhe Halepit (Alepo) dhe tha se në fazën e parë do të mbajnë qëndrim së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Shtetëror të Aeroporteve (DHMI) të Türkiyes në lidhje me rimëkëmbjen e Aeroportit të Damaskut, raporton Anadolu.
Uraloğlu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në kuadër të programit të Federatës së Botuesve të Anadollit.
Ai bëri deklarata për Sirinë dhe vuri në dukje se, si ministri, janë të pranishëm në të gjitha transportet dhe komunikimet.
"Gjeografia në të cilën ndodhemi është me të vërtetë e vlefshme. Nëse i tregon hartën tonë një personi që nuk e njeh gjeografinë tonë, ai do të thotë se Türkiye është me të vërtetë vendi më i vlefshëm. Mund të arrijmë në 67 vende dhe afërsisht 1,5 miliard njerëz me vetëm një fluturim 4-orësh. Ndodhemi në një pozitë gjeografike të tillë ku flasim për 51,2 trilionë dollarë nga Prodhimi Kombëtar Bruto, një vëllim tregtar pre 12,5 trilionë dollarë në vit", tha Uraloğlu.
"Kemi lidhur 77 qytete me rrugë të ndara"
Duke vënë në dukje se ata kanë formësuar infrastrukturën e Türkiyes sipas avantazheve të vendndodhjes së saj gjeopolitike, Uraloğlu tha më tej:
"Në vitin 2002 kishim vetëm 6.101 kilometra rrugë të ndara. Sot e kemi rritur në 29.700 kilometra. Mund të lidhnim vetëm 6 qytete, ndërsa sot kemi lidhur 77 qytete me rrugë të ndara. Në kushtet e asaj dite, numri i automjeteve në Türkiye ishte afërsisht 8 milion e gjysmë dhe shpejtësia mesatare midis qyteteve ishte afërsisht 40 kilometra në orë. Sot numri i automjeteve ka arritur në afërsisht 30 milionë e gjysmë. Ajo iu afrua shifrës 31 milionë. Imagjinoni që shpejtësia jonë mesatare në rrugët ndërmjet qyteteve është rreth 90 kilometra në orë. Ku do të ishim sot nëse nuk do t'i kishim bërë këto?"
Ministri Uraloğlu dha informacion për investimet në hekurudhë. "Një lëvizje serioze ka pasur edhe në vitet e para të Republikës. Më pas u la plotësisht mënjanë, ndërsa ne së bashku me qeveritë tonë të Partisë AK vendosëm dorë. Ne e bëmë vendin tonë menaxhues të trenave të shpejtë, në vendin e 6-të në Evropë dhe në vendin e 8-të në botë. Mund të them se kemi ndërtuar 2.251 kilometra hekurudhë me shpejtësi të lartë dhe kemi riparuar plotësisht hekurudhat tona", tha ai.
Duke vënë në dukje se kanë rritur në 58 numrin e aeroporteve aktive në linjat ajrore, nga 26 që ishte në vitin 2002, Uraloğlu deklaroi: "Është e lehtë të thuhet, shikoni trafikun e pasagjerëve, i cili ishte 34 milionë në 2002, vitin e kaluar ishte 213 milionë. Aeroporti Sabiha Gökçen, për të cilin thuhet se kush do të fluturojë atje, vitin e kaluar arriti në 36 milionë, ndërsa këtë vit do ë jetë në 38-40. Ne këtë vit do të arrijmë 80 milionë njerëz vetëm në Aeroportin e Istanbulit".
"Siria ka nevojë për gjithçka"
Ministri Uraloğlu bëri deklarata edhe për Sirinë, e cila është në agjendën botërore dhe atë të Türkiyes pas rënies së regjimit të Bashar Asadit në fillim të këtij muaji.
Ministri turk shpjegoi se Siria ka nevojë për gjithçka dhe më tej tha:
"Pas tërmeteve të 6 shkurtit, familjet fillimisht luftuan se si t'i nxirrnin të afërmit e tyre, si t'i varrosnin etj. Pastaj se si mund të futeshin në një tendë, pastaj në një kontejner? Pastaj në shtëpi. Tani, ndërsa ne ishim për vizitë në ato tenda, një nga kolegët tanë i bëri një pyetje një motre atje: 'Motër, a ke nevojë për ndonjë gjë?'. Përgjigja ishte: 'Për çfarë nuk ka nevojë personi që ndodhet në tendë'. Kjo ishte përgjigja dhe ishte një përgjigje e përsosur. Ndërsa tani për çfarë nuk ka nevojë një person në Siri? Pra, me të vërtetë ka nevojë për çdo gjë. Këto janë informacionet që kemi marrë në fazën e parë".
"Bëmë inspektimet e nevojshme në aeroportet e Damaskut dhe Halepit"
Ndërkaq, në lidhje me transportin, ministri Uraloğlu dha këto informacione:
"Në Siri ka 5 aeroporte. Në plan të parë kanë dalë 2 aeroporte dhe kanë funksionuar deri vonë. Damasku dhe Halepi. Vitin e kaluar, në Aeroportin e Damaskut kanë udhëtuar rreth 100 mijë pasagjerë...Në Halep ka pasur rreth 50-60 mijë udhëtime. Kemi dërguar një ekip. Kemi kryer inspektimet e nevojshme në aeroportet e Damaskut dhe Halepit. Nuk kishte asnjë sistem radari. Ne në celularët tanë kemi aplikacion të radarit ajror. Imagjinoni, ata po përpiqeshin ta menaxhonin nga ai aplikacion i celularit".
Ministri Uraloğlu ndau gjithashtu informacionin se në aeroportet në fjalë vazhdonte përdorimi i kompjuterëve të viteve 1990.
"Nuk ka asgjë të mirëqenë, nuk ka pajisje apo detektorë të duhur me rreze X. Ka konsumim serioz në pista dhe fluturimi i parë për në Damask dhe Halep atje u bë tërësisht me iniciativën e pilotëve. Me fjalë të tjera, u bë në kushte vizuale pa asnjë sistem, kështu që miqtë tanë bënë një inspektim. Ne kemi paraqitur një plan veprimi", tha ministri turk.
Pasi vuri në dukje se ata fillimisht do të marrin një qëndrim me Drejtorinë e Përgjithshme të DHMI-së në lidhje me rimëkëmbjen e Aeroportit të Damaskut, Uraloğlu u shpreh: "Atje ka pjesë të hekurudhave që e kanë origjinën nga Türkiye dhe që shkojnë deri në Hixhaz. Ne e dimë që nuk kanë funksionuar atje për një kohë të gjatë si pjesë e një tërësie të caktuar. Ne do të kryejmë shpejt inspektimet dhe do të mbajmë pozicion lidhur me hekurudhat, për të siguruar integritetin e rrugës për në Damask në radhë të parë. Ne dërguam trena pasagjerësh atje në 2009-2010, kemi kryer udhëtime. Ka një infrastrukturë atje. Ne e dimë se në disa rajone, për shembull në Irak, shinat hekurudhore janë vjedhur dhe shitur si hekur i ri, edhe në Siri mund ta hasim këtë".
“Mund të them se i riparuam urat e shembura”
Duke rikujtuar operacionet terroriste, ministri Uraloğlu theksoi: "Në dinamikën e brendshme në Siri, autostrada M4 dhe autostrada M5 janë diskutuar gjithmonë. Me fjalë të tjera, një autostradë ndodhet në situatën ku mund të ketë një ndikim të tillë në politikën e vendit. Ne po i paraqesim një detyrë, por tashmë i njohim rajonet ku Türkiye ka kryer operacion dhe dua të them se atje kemi bërë shumë punë, veçanërisht në autostrada. Le të bëhen me ndihmën e Drejtorisë sonë të Përgjithshme të Autostradave. Po ashtu, le të bëhen me ndihmën e Ministrisë sonë të Mbrojtjes Kombëtare. Mund të them se aty kemi bërë shumë punë dhe kemi riparuar shumë ura të shembura".
“Siria është 20-30 vjet prapa Türkiyes në aspektin e komunikimit”
Ministri Uraloğlu vuri në dukje se Siria është 20-30 vjet prapa Türkiyes në aspektin e komunikimit dhe se komunikimi me celular nuk është i mundur në shumë pika.
"Do të bëjmë identifikimet e nevojshme në lidhje me këto dhe ne si ministri do të përpiqemi t'i zbatojmë, siç edhe thashë se atje duhet gjithçka. Pra mendoni për shtypjen e parave ose si çfarë do të bëhet paratë e Sirisë. Për shembull, a e dinit se paratë e Sirisë janë shtypur nga Rusia? Mendoni për këtë, që monedha e një vendi është shtypur nga një vend tjetër. Aktualisht, shumë vende në Afrikë janë në një situatë të ngjashme, disa vende po shtypin monedhat e tyre. Në këtë pikë, Türkiye ndoshta do të jetë në pikën e ofrimit të mbështetjes atje", tha Uraloğlu.
“Ne e dimë që portet e tyre janë pothuajse të pazhvilluara”
Duke theksuar se Siria është një portë e rëndësishme për në Mesdhe, Uraloğlu tha më tej: "Ne e dimë që portet e tyre janë pothuajse të pazhvilluara. Ne ndoshta do të bëjmë përcaktime dhe përpjekje për të bërë investime të caktuara atje. Sigurisht, një Marrëveshje për Juridiksionin Detar, ndoshta mund ta bëjmë në një mënyrë që ne mund të mbrojmë interesat tona në Mesdheun Lindor. Kur të vijë dita, institucionet tona përkatëse do të ndërmarrin atje detyrë në lidhje me 'Atdheun Blu'. Në fakt, Damasku, Siria kanë një histori sa i përket tregtisë. Ne do të bëjmë më të mirën në aspektin për ta ringjallur atë".
Duke deklaruar se një marrëveshje e tillë do të rriste efektivitetin dhe kompetencën edhe të Sirisë. edhe të Türkiyes, Uraloğlu shpjegoi: "Për sa i përket kërkimit të naftës dhe hidrokarbureve atje, do të ndajmë ose zgjerojmë të gjitha llojet e autoritetit si dy vende, duke marrë parasysh ligjin ndërkombëtar. Sigurisht, para së gjithash, atje duhet të krijohet një autoritet. Shikoni, atje duhet të paguhen pagat e nëpunësve civilë. Ka një agjendë që grupet e armatosura të lënë armët. Kjo do të ishte patjetër në rend dite, por nuk do të ishte shumë e drejtë të thuhet se është në agjendën e sotme".
Duke iu referuar çështjes së Rrugës së Zhvillimit, Uraloğlu tha: "Faza e parë e Portit Faw të Irakut do të vihet në funksion në vitin 2025 dhe do të nisë aktivitetet portuale. Ndërsa ajo që na shqetëson është rruga tokësore rreth 1.200 kilometra. Mund të themi se projekti gati ka përfunduar. Po vazhdojnë negociatat mes qeverisë rajonale dhe qeverisë vendore vetëm se ku do të kalojë në veri të Irakut. Ne po ndjekim negociatat në mënyrë aktuale".