Agjencia Kombëtare e Inteligjencës e Türkiyes (MIT) neutralizoi njërin nga udhëheqësit e grupit terrorist PKK/YPG në veri të Sirisë, Ömer Abdullah el Dahham, me emrin e koduar Abu Dahham, në qytetin Tabqa në provincën Raka, thanë burimet e sigurisë, të cilët kërkuan të mbeten anonim për shkak të kufizimeve për të folur me media.
Al-Dahham, i cili u zbulua se vepronte në të ashtuquajturin nivel përgjegjës në një ekip organizativ që kryente aksione terroriste kundër bazave të Forcave të Armatosura Turke (TSK) në zonat operacionale "Mburoja e Eufratit" dhe "Burimi i Paqes" që nga viti 2017, monitorohej nga një njësi speciale e MIT-it.
Autoritetet turke përdorin termin "neutralizuar" për të nënkuptuar se terroristët në fjalë u dorëzuan, u vranë ose janë kapur.
Operacioni antiterrorist erdhi në vazhdën e sulmeve terroriste fundjavën e kaluar në të cilën u vranë 12 ushtarë turq në Irakun verior. Sulmet ajrore turke që atëherë kanë shkatërruar dhjetëra objektiva terroriste në Irakun verior dhe Siri dhe kanë neutralizuar terroristë të rangut të lartë.
Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në Irakun verior për të komplotuar sulme ndërkufitare në Türkiye. Ajo gjithashtu ka një degë siriane, të njohur si YPG.
Që nga viti 2016, Ankaraja ka nisur tri operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar kthimin dhe vendosjen paqësore të banorëve: "Mburoja e Eufratit" (2016), "Dega e Ullirit" (2018) dhe "Burimi i Paqes" (2019).
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.