Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se nga zgjidhja e problemeve me Türkiyen do të përfitojnë të dyja vendet. Duke theksuar se demarkacioni i kufijve detar në detet Egje dhe Mesdhe ka qenë problemi kryesor midis dy aleatëve të NATO-s, Mitsotakis tha se Ankaraja dhe Athina duhet të bien dakord që ta çojnë problemin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë në mënyrë që të zgjidhin atë.
"Por, pa dyshim që të shkosh në Hagë nuk është një çështje e thjeshtë, as nuk është diçka që mund të bëhet brenda natës", tha Mitsotakis, duke shtuar se është interesi i Greqisë që përfundimisht të zgjidhë "këtë dallim të madh me Türkiyen në përputhje me ligjin ndërkombëtar".
Duke iu referuar takimit të tij të së mërkurës në Vilnius të Lituanisë me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, Mitsotakis tha se takimi ishte konstruktiv dhe i sinqertë. Ai shtoi se u zhvillua në një atmosferë pozitive.
"Ishte një mundësi për një rifillim të marrëdhënieve greko-turke pas katër viteve të vështira", tha ai.
Kryeministri grek tha se është i bindur se politika e jashtme turke tani po zhvendoset në Perëndim dhe se Greqia do të përfitojë nga kjo.
Lidhur me shitjen e mundshme të avionëve luftarakë F-16 nga ShBA-ja në Türkiye, Mitsotakis tha se ai dhe Kongresi Amerikan janë të mendimit se armët amerikane nuk duhet të përdoren kundër Greqisë ose ndonjë aleati tjetër të ShBA-së.
Megjithatë, ai theksoi se kjo është kryesisht një çështje midis ShBA-së dhe Türkiyes.
Ai gjithashtu tha se së shpejti do të ketë zhvillime pozitive në lidhje me shitjen e avionëve luftarakë F-35 nga ShBA-ja në Greqi, të cilat gjithashtu mund të transferojnë disa sisteme të armëve të përdorura pa pagesë.