Motori i parë i aviacionit i prodhuar nga Türkiye fuqizues i dronëve vendas / Photo: AA

Motori i parë i aviacionit i prodhuar në Türkiye, “TEI-PD170”, do të fuqizojë mjetet ajrore luftarake pa pilot (UCAV) vendase, duke pakësuar varësinë e jashtme për motorë.

Motori është zhvilluar nga filiali i kompanisë së Industrive Turke të Hapësirës dhe Aviacionit (TUSAŞ), “Industritë Motorike të TUSAŞ-it” (TEI) dhe është vënë në dispozicion të prodhuesve.

Zhvillimi i motorit shënon një moment historik në Zhvillimin e Motorëve të Dronëve 2012 të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes të Türkiyes. Projekti synonte të zhvillonte motorin e parë të aviacionit turbodizel në vend për dronët me qëndrueshmëri të gjatë në lartësi mesatare.

Pas përpjekjeve intensive të inxhinierisë, prodhimit dhe testimit, ndezja e parë e “TEI-PD170” u krye në janar 2017 dhe pas testeve të ndryshme në tokë, modeli i parë i prodhuar i motorit iu dorëzua TUSAŞ-it në nëntor 2017.

Motori përfundoi fluturimin e tij të parë në platformën Anka të TUSAŞ-it në dhjetor 2018 në -10 gradë Celsius dhe në kushte të vështira moti, si dhe në Aksungur në tetor 2021. Firma turke e mbrojtjes Baykar zgjodhi gjithashtu motorin TEI-PD170 për platformën e saj TB3 dhe filloi fluturimet në vitin 2023.

Motori i parë i aviacionit i prodhuar në Türkiye ka regjistruar 45 orë fluturim në Aksungur, duke arritur 11.067 metra – koha më e gjatë e fluturimit dhe lartësia më e lartë e arritur me një motor të prodhuar në vend.

Platforma TB3 e Baykarit bëri histori si droni i parë luftarak që u ngrit dhe u ul nga një anije me pistë të shkurtër dhe ka fluturuar për 823 orë deri më tani me motorin TEI-PD170.

Kohëzgjatja e motorit në dronët luftarakë vendas ka arritur në 2.000 orë. TEI-PD160 krenohet me një raport të lartë fuqie ndaj peshës dhe aftësi superiore në lartësi të madhe në krahasim me konkurrentët e huaj me sistemin e tij “turbocharging” me dy faza.

Motori ka një sistem kontrolli rezervë dhe një softuer kontrolli të krijuar posaçërisht, i bërë në përputhje me standardet e aviacionit civil. TEI-PD160 mund të prodhojë 170 kuaj fuqi dhe të arrijë një lartësi prej mbi 6 mijë metrash dhe një lartësi tavani prej mbi 13 mijë metrash pa humbur fuqinë.

Motori i parë autokton i aviacionit i Türkiyes përdoret nga tri platforma të ndryshme dhe tashmë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, ndërsa eksporti i parë i motorit u bë në fillim të vitit 2024 dhe negociatat me vende të ndryshme po vazhdojnë.

TRT Balkan / agjencitë