Në Türkiye filloi Forumi Energjetik i Istanbulit (Istanbul Energy Forum) i cili organizohet nga Anadolu, nën kujdesin e Ministrisë së Energjisë dhe të Burimeve Natyrore të Türkiyes, me temën kryesore "E ardhmja e përbashkët, qëllimet e përbashkëta".
Në forumin i cili do të mbahet me pjesëmarrjen e ministrave të energjisë nga vende të ndryshme, përfaqësues të organizatave joqeveritare vendase dhe të huaja, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, akademikë, anëtarë të medias dhe emra të njohur të botës së biznesit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë e dialogut në nivel global dhe "do t‘i japin drejtim sektorit të energjisë".
Fjalimet e seancës kryesore të forumit do të mbahen nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ministri turk i Energjisë dhe i Burimeve Natyrore, Alparsan Bayraktar, drejtori i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun dhe kreu i Bordit Drejtues dhe drejtori i Përgjithshëm i Anadolut, Serdar Karagöz.
Në sesionin me titullin "Sfidat dhe mundësitë për një të ardhme rezistente", që do të mbahet nën moderimin e ministrit Bayraktar do të trajtohen politikat energjetike të së ardhmes. Në sesion do të marrin pjesë si folës ministri i Energjisë së Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov, ministri bullgar i Energjisë, Vlladimir Malinov, ministri gjeorgjian i Ekonomisë dhe i Zhvillimit, Levan Davitashvili, ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë, Peter Szijjarto, ministri i Energjisë së Moldavisë, Victor Parlicov, ministri libanez i Naftës dhe Gazit, Khalifa Abdulsadek, ministrja serbe e Energjisë dhe e Minierave, Dubravka Dedoviq-Handanoviq dhe ministri i Energjisë së Uzbekistanit, Jurabek Mirzamakhmudov.
Gjithashtu, Forumi do të vazhdojë me seancën speciale të BOTAŞ të titulluar "Dinamikat e reja të sigurisë së gazit: Perspektivat rajonale" pas sesioneve "Pritshmëritë për teknologjitë e reja dhe karburantet në konvertimin e energjisë inteligjente" dhe "Financimi i transformimit të energjisë: Pritshmëritë dhe prioritetet", ndërsa do të përfundojë me "Takimin e falënderimeve dhe vlerësimit të Agjencisë Anadolu".
Në Forumin që po mbahet në Qendrën e Kongreseve të Istanbulit dhe i cili do të zgjasë gjatë gjithë ditës, krahas temave si objektivat rajonalë në sektorin energjetik, roli i Türkiyes në sigurimin e furnizimit me gaz natyror dhe financimi i transformimit të energjisë do të diskutohen edhe shumë tema me agjendat rajonale dhe ndërkombëtare në sektor.