Nis numërimi mbrapsht për balotazhin në Türkiye, ja kalendari zgjedhor / Foto: AA

Türkiye shkon në balotazh presidencial më 28 maj, për të zgjedhur mes presidentit aktual Recep Tayyip Erdoğan dhe sfiduesit Kemal Kiliçdaroğlu nga CHP-ja.

Erdoğanit iu desh më pak se gjysmë pikë-përqindje për t’u zgjedhur në rrethin e parë, ndërsa dallimi me të dytin, Kiliçdaroğlun, është mbi 4.6% nga numri i përgjithshëm i votave.

Tani fillon gjithçka nga e para. Votat e para do të hidhen tashmë këtë fundjavë në diasporë, ndërsa të dielën e ardhshme votohet brenda Türkiyes.

Ankesat finalizohen nesër, të premten shpallen rezultatet

Ankesat rreth votimit në rrethin e parë të zgjedhjeve do të finalizohen deri nesër nga Këshilli i Lartë Zgjedhor i Türkiyes.

Të premten, autoriteti zgjedhor turk do të shpallë rezultatet zyrtare dhe përfundimtare.

Diaspora voton mes 20 dhe 24 majit

Mërgimtarët turq do të votojnë për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale mes datave 20 dhe 24 maj.

Votimi organizohet sërish në 73 shtete dhe 156 përfaqësi të Türkiyes, si dhe në doganë, duke filluar nga kjo fundjavë.

Gjithsej 3,41 milionë turq në diasporë kanë të drejtë vote në balotazh. Në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat u mbajtën bashkë me zgjedhjet e 28-ta parlamentare të vendit më 14 maj, votuan 52,69% prej mërgimtarëve me të drejtë vote.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve më së shumti votues kishte në Gjermani, mbi 700 mijë gjithsej. Numër i madh i mërgimtarëve votuan edhe në Francë, Angli, Holandë, Belgjikë, Austri, ShBA dhe disa vende të tjera.

Në vendet e rajonit, më së shumti votues kishte në Maqedoninë e Veriut (1.765), më pas në Bosnjë e Hercegovinë (rreth 1.473), Serbi (rreth 1.256), Mal të Zi (rreth 1.070), Kosovë (rreth 1.064) dhe Shqipëri (632).

Fushata televizive nga 24 maji

Ndonëse fushata në terren ka filluar menjëherë pas njoftimit zyrtar se do të ketë rreth të dytë, fushata televizive me fjalimet elektorale do të fillojë nga 24 maji.

Fushata përmbyllet më 27 maj, në orën 18:00 sipas kohës lokale.

Votimet për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të mbahen të dielën e 28 majit, duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 17:00 sipas kohës lokale. Mbi 60 milionë qytetarë brenda Türkiyes kanë të drejtën të thonë fjalën e tyre në balotazh.

TRT Balkan