Të dielën e ardhshme, më 14 maj, mbi 60 milionë turq do të kenë të drejtën të vendosin për përfaqësuesit e tyre politik për pesë vitet e ardhshme. Türkiye organizon zgjedhjet për president të vendit dhe zgjedhjet parlamentare ku përcaktohen 600 deputetët në Kuvendin e Madh Kombëtar të Türkiyes.
Në fletën e votimit presidencial, votuesit do të zgjedhin midis Recep Tayyip Erdoğanit, presidentit aktual, dhe kandidatët e opozitës Kemal Kilicdaroglu, Muharrem Inces dhe Sinan Oğanit.
Ndërkohë, 24 parti politike dhe 151 kandidatë të pavarur po konkurrojnë për vende në parlamentin turk.
Vështrim historisë
Türkiye organizon zgjedhje që nga shpallja e republikës në vitin 1923, por deri në vitin 1950 ato ishin kryesisht ceremoniale, pasi ishte sistem njëpartiak i udhëhequr nga një parti që u bashkëthemelua nga babai themelues i vendit Mustafa Kemal Ataturk.
Por, kjo ndryshoi me zgjedhjet e vitit 1950, në të cilat një numër partish mund të konkurronin kandidatët e tyre në zgjedhje demokratike dhe Partia Demokratike, një parti konservatore, erdhi në pushtet me shumicë të madhe.
Që atëherë, partitë konservatore kanë dominuar politikën turke, ndërsa CHP-ja, një parti e majtë, nuk mund të merrte shumicën e votave (përveç në disa raste), duke mbetur opozita kryesore në parlament.
Në ndërkohë, në Türkiye ndodhën edhe disa ndërhyrje ushtarake, të cilat ndërprenë jetën politike turke në 1960, 1971, 1980, 1997 dhe 2007.
Sistemi zgjedhor
Sistemi zgjedhor i Türkiyes është një sistem i përzier, një kombinim i përfaqësimit proporcional dhe votimit të shumicës. Koncepti i përfaqësimit proporcional lejon që numri i vendeve të mbajtura nga një grup politik ose parti në një organ legjislativ të përcaktohet nga numri i votave të marra nga populli.
Për të hyrë në parlament, një parti politike duhet të marrë një minimum prej 7 për qind të votave kombëtare, sipas një Ligji të ri zgjedhor të miratuar në prill të vitit të 2022. Ligji lejon krijimin e aleancave ndërmjet partive të ndryshme politike. Prandaj, çdo parti mund të jetë në gjendje të sigurojë një vend në parlament nëse ata formojnë një aleancë që merr kolektivisht mbi 7 për qind të votave në çdo qark në Türkiye.
Megjithatë, ky prag nuk është i zbatueshëm për kandidatët e pavarur.
Ka 87 zona zgjedhore në gjithë Türkiyen. Numri i deputetëve që përfaqësojnë çdo qark varion në bazë të raportit të popullsisë. Për shembull, Istanbuli ka 98 deputetë pasi është qyteti më i populluar në vend, Ankaraja ka 36 deputetë, ndërsa provincat Tunceli dhe Bayburt kanë vetëm nga 1 secila.
Vota e shumicës është e vlefshme për zgjedhjet presidenciale dhe thjesht nënkupton marrjen e më shumë se gjysmës së pjesës së votave kombëtare.
Qytetarët turq e zgjedhin presidentin e tyre veçmas nga parlamenti, duke përdorur një sistem mazhoritar me dy raunde. Nëse asnjë kandidat nuk fiton shumicën e votave në raundin e parë, dy kandidatët e parë konkurrojnë në një raund të dytë votimi ku një kandidat duhet të marrë më shumë se 50 për qind për t’u zgjedhur.