Njihuni me Reisin, maçokun që eksploron Istanbulin mbi supin e pronarit       Foto: AA

Maçoku i quajtur "Reis" shijon bukuritë e Istanbulit mbi supin e pronarit të tij.

Reis udhëton me pronarin e tij nëpër monumentet dhe rrugët historike dhe turistike të Istanbulit, bën xhiro me tramvajet dhe vaporet nostalgjike, duke u bërë një eksplorues i vërtetë i qytetit.

Trajneri i fitnesit Hakan Emrah së bashku me maçokun e tij, Reis, për gati tre vjet, ka eksploruar vendet historike dhe turistike të Istanbulit, si Kulla e Vashës, Xhamia e Madhe Hagia Sophia, Xhamia Blu dhe Sheshi Taksim.

Reisi, i cili vëzhgon qytetin nga shpatulla e të zotit të tij duket se me të vërtetë shijon shëtitjet në Istanbul. Ai endet nëpër qytet si një udhëtar, duke vizituar shumë vende me pronarin e tij.

Ndërsa ecën në rrugë, Emrah ndalet shpesh nga turistët vendas dhe të huaj për shkak të maçokut të tij mbi shpatull. Turistët shprehin habinë e tyre dhe bëjnë gjithmonë foto me Reisin.

Hakan Emrah, i cili adoptoi maçokun, tha: "Ka rreth tre vite që shëtit nëpër Istanbul mbi supin tim. Herën e parë e çova Reisin në Taksim. Dashuria që njerëzit treguan për Reisin na emocionoi. Pas kësaj, filluam të dilnim rregullisht bashkë. Besoj se Reis e njeh Istanbulin më mirë se shumë njerëz që jetojnë këtu. Kemi vizituar çdo vend që duhet parë në Istanbul."

Në një intervistë për AA-në, Emrah shpjegoi se fillimisht nuk e donte maçokun, e cila iu dha nga një student kur ishte vetëm dy muajsh.

Ai tregoi se më vonë e adoptoi maçokun me kërkesë të familjes së tij, e quajti "Reis" dhe krijoi një lidhje të fortë me të.

"Jemi bërë si baba e bir. Kam një djalë 11-vjeçar dhe jam po aq i lidhur me Reisin sa me të. Të mësuarit për të udhëtuar mbi supin tim lidhet me natyrën dhe dashurinë. Ne u bëmë një familje e mirë për të, dhe pasi ai doli të jetë një mace e mirë për ne, u krijua një lidhje mes nesh," tha Emrah.

Ai përmendi se ndihet fajtor kur e lë atë në shtëpi dhe beson se Reis duhet t'i shoqërojë kudo. Gradualisht filloi ta nxirrte Reisin jashtë, dhe maçoku u adaptua me rutinën, duke refuzuar tani të shkojë diku pa të.

"I pëlqen më së shumti të flejë mbi supin tim gjatë udhëtimeve”

Emrah tha se në fillim Reis kishte frikë nga mjetet dhe zhurmat dhe për shkak të frikës qëndronte i ngjitur fort pas tij. Ai vazhdoi: "Ndonjëherë më gërvishte, ndonjëherë më lëndonte, por nuk u dorëzova, dhe siç mund ta shihni, ai u dorëzua. Kemi vizituar çdo vend që duhet parë në Istanbul – nga Kuzguncuk te Vaniköy, Taksim, Beşiktaş, Ortaköy dhe Sulltanahmet. Gjatë udhëtimeve, atij i pëlqen më së shumti të flejë mbi supin tim."

"Nuk kemi qenë ende në një ndeshje të Galatasaray-t, por shpresojmë të shkojmë."

Një tifoz i Galatasaray-t, Emrah përmendi se ka marrë pjesë në festimet e titullit kampion të ekipit me Reisin, por tha se ende nuk kanë parë një ndeshje në stadium bashkë.

Meqë Reis nuk u lejua brenda stadiumit, Emrah shprehu dëshirën se donte të pjesë në një ndeshje të Galatasaray-t me Reisin.

“Besoj se kemi bërë gjithçka bashkë, përveç kësaj. Kemi hypur në anije, tramvaje, makina, kemi qëndruar buzë detit dhe kemi eksploruar qytetin. Gjëja e vetme që ka mbetur është një ndeshje e Galatasaray-t, dhe shpresojmë ta bëjmë edhe atë", tha Emrah.

Emrah ndau se eksplorimi i Istanbulit me Reisin e ka bërë ta dojë qytetin edhe më shumë: "Ne nuk dalim nga shtëpia me një plan të caktuar për të shkuar këtu apo atje. Por duke pasur Reisin me mua, kam filluar ta vlerësoj më shumë Istanbulin. Për shembull, nëse ulemi në një tavolinë për të ngrënë ose për të pirë kafe, Reis do të ulet aty me ne. Edhe sikur të rri për pesë orë, ai nuk do të lëvizte. Është i mësuar me këtë. Reis ulet me ne në tavolinë, ha dhe pushon me ne.

Ndonjëherë marrim komente si: ‘Pse është macja mbi tavolinë? Kafshët janë të pista.’ Njerëzit duhet të kuptojnë se macet janë ndër kafshët më të pastra në botë. Një lloj injorance e tillë mund të jetë dëshpëruese. Sa herë që shoh kafshë, më vjen në mendje një mendim: si njerëz, gjithmonë ndjekim interesin personal, por kafshët kërkojnë vetëm mëshirë. Prandaj dua që njerëzit të tregojnë mëshirë dhe t’i trajtojnë me mirësi – asgjë më shumë."

TRT Balkan / agjencitë