Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se tragjedia e tërmeteve që ndodhën në Türkiyen jugore dy javë më parë tregon se "sa e rëndësishme është të jemi bashkë", duke theksuar se do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për të prekurit nga kjo fatkeqësi.
Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesues i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Schmid, folën në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu pas një takimi në Ankara.
Duke thënë se vizita e tij në Türkiye përkoi me një periudhë shumë të dhimbshme, Osmani tha: "Kjo fatkeqësi ka krijuar një dhimbje që ne nuk mund ta shprehim në asnjë mënyrë, për qindra mijëra njerëz, familje dhe në mbarë vendin. Dëshiroj t'ju shpreh ngushëllimet në emër të OSBE-së, ngushëllimet e mia për viktimat dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarit".
Duke u shprehur se lidhjet mes vendeve janë më të forta në kohë krize, Osmani tha: "Këto janë kohët kur njerëzimi vihet në sprovë. Kjo tragjedi na kujton se sa e rëndësishme është të jemi bashkë. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është uniteti dhe solidariteti".
Osmani tha se do të vazhdojnë t'i mbështesin njerëzit e prekur nga tërmeti dhe i falënderoi të gjitha vendet anëtare të OSBE-së për mbështetjen e dhënë.
Ai theksoi se spektri i misionit të OSBE-së në trajtimin e fatkeqësive natyrore është i ngushtë dhe se ata e kanë vlerësuar atë, duke shtuar se gjatë kryesimit të vendit të tij, OSBE-ja do të fokusohet në mekanizma shtesë që mund të krijohen në këtë drejtim dhe të vlerësojë se çfarë mund të bëhet në të ardhmen në tragjedi të ngjashme.
Duke thënë se marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes janë ndërtuar mbi një bazë shumë të fortë besimi dhe respekti reciprok, Osmani shtoi se është këtu për të shprehur se kjo mbështetje do të vazhdojë derisa populli turk ta kapërcejë plotësisht këtë tragjedi.
Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Türkiyes
Ndërkaq, Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Schmid, përcolli ngushëllimet e saj për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe tha se Türkiye dhe Siria kanë përjetuar një fatkeqësi të tmerrshme tërmeti.
Schmid tha se janë solidarizuar duke vizituar Türkiyen me kryesuesin e OSBE-së, Osmanin, dhe kanë ardhur në Türkiye edhe në emër të punonjësve të OSBE-së.
Duke thënë se pas tërmetit, qendra e OSBE-së në Vjenë kontaktoi menjëherë zyrtarët turq dhe filloi të kontribuojë, Schmid theksoi se ata vazhdojnë përpjekjet e tyre për të dhënë mbështetje dhe ndihmë në mënyrë shumë të sinqertë.
"Unë vij këtu nga Konferenca e Sigurisë në Mynih. Edhe atje u dhanë mesazhe jashtëzakonisht të rëndësishme mbështetjeje. Isha së bashku me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, kryeministrin e Armenisë Nikol Pashinyan dhe kryeministrin e Gjeorgjisë Irakli Garibashvili. Të gjithë nënvizuam rëndësinë e të qenit bashkë dhe të japim mbështetjen përballë kësaj tragjedie. Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Türkiyes”, tha Schmid.