Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif tha të premten se vendi i tij do të bëjë çdo përpjekje për të ofruar ndihmën e nevojshme për Türkiyen pas tërmeteve të fuqishme binjake që goditën rajonet jugore të vendit.
Sharif u tha gazetarëve në Adiyaman, një nga provincat më të goditura nga tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 javën e kaluar, se 220 milionë pakistanezë kanë dërguar mesazhin se ne jemi si familja juaj.
“Dëmi është kolosal”, tha ai, duke iu referuar shkatërrimeve të shkaktuara nga tërmetet në qytetet turke.
“Është përtej imagjinatës së secilit. Por, kam besim se nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, vëllait tim të dashur dhe qeverisë së tij, si dhe popullit të Türkiyes, i cili njihet për guximin dhe natyrisht punën e palodhur, do të dalë nga kjo krizë shumë shpejt”, tha ai.
Mijëra fëmijë do të kenë nevojë për shkolla, familje dhe shtëpi, tha kryeministri pakistanez, duke shtuar se është krenar për popullin dhe ministrat turq që po punojnë pa u lodhur për t'i bërë gjërat e tilla të ndodhin së shpejti.
"Ne nuk do t'ju lëmë… sikur ju që nuk i keni lënë kurrë pakistanezët vetëm," tha kryeministri, duke aluduar për ndihmën e Türkiyes në tërmetin e vitit 2005, përmbytjet e vitit 2010 dhe përmbytjet e vitit të kaluar.
Sharif tha se Erdoğani personalisht vizitoi viktimat e përmbytjeve në Pakistan në vitin 2010 dhe se Zonja e Parë turke Emine Erdogan mblodhi ndihma dhe dhuroi byzylykun e saj.
“Si mund ta harrojmë ndonjëherë këtë akt të madh bujarie dhe dashamirësie nga lidershipi turk dhe populli turk, biznesmenë e filantropë turq,” tha ai.
Sharif tha se do të takohej me prodhuesit e tendave në Pakistan sapo të kthehej dhe se do t'u kërkonte atyre të prodhonin tenda të mjaftueshme për viktimat e tërmetit.