600 anëtarët e parlamentit të Türkiyes do të votojnë për kryetarin e ri të Parlamentit, post për të cilin konkurrojnë shtatë kandidatë.
Konkurrentët janë Numan Kurtulmus – kandidati i përbashkët i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Partia) dhe Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), si dhe Tekin Bingol nga Partia Popullore Republikane (CHP).
Përveç këtyre, në konkurrencë janë edhe Tulay Hamitogullari Oruc nga Partia e Majtë e Gjelbër (YSP), Mustafa Cihan Pacaci nga Partia IYI (Mirë), Mustafa Yeneroglu nga Partia Demokracia e Progresi (DEVA) dhe Serap Yazici Ozbudun nga Partia Gelecek (Ardhmëria).
Kryetari i Partisë së Punës të Türkiyes (TIP) Erkan Bash ka dorëzuar edhe kërkesën e deputetit të burgosur Serafettin Can Atalay për kandidim në Sekretariatin e Përgjithshëm të Parlamentit.
Sipas Kushtetutës së Türkiyes, kryetari i parlamentit zgjidhet me votim të fshehtë deri në katër raunde – aq sa janë të nevojshme – në një ditë të vetme.
Në dy raundet e para, kandidatët do të kërkojnë shumicën e dy të tretave (400 vota) në parlamentin prej 600 deputetësh.
Nëse zgjedhjet shkojnë në një raund të tretë, një shumicë e thjeshtë – 301 vota – mjafton për të emëruar kryeparlamentarin e ri që do të marrë përsipër pozitën për dy vjet.
Nëse shumica nuk mund të arrihet, votimi i katërt mbahet në të njëjtën ditë në balotazh ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave në të tretin.
Kryetar do të zgjidhet anëtari që merr numrin më të madh të votave në votimin e katërt.
Shumica parlamentare
Në zgjedhjet e 14 majit, AK Partia doli si partia kryesore në parlament, duke fituar 268 vende.
Përveç AK Partisë, partnerët e saj të Aleancës së Popullit, MHP-ja, fituan 50 vende, ndërsa Partia e Mirëqenies së Re (YRP) fitoi pesë, duke siguruar një shumicë të kombinuar prej 323 vendesh.
Me 169 deputetë, CHP-ja, së bashku me partnerin e saj të koalicionit – Partinë IYI, siguruan 212 vende në parlament, duke përfaqësuar opozitën kryesore Aleancën e Kombit.
65 vendet e mbetura të parlamentit u fituan nga Aleanca e Punës dhe e Lirisë, e përbërë nga Partia e Majtë e Gjelbër me 61 vende dhe Partia e Punës e Türkiyes me katër vende.