Pentagoni: Türkiye, partner i rëndësishëm për ShBA-në / Foto: AP

Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder ka deklaruar se Türkiye ka një partneritet të rëndësishëm me ShBA-në në skenën globale.

Duke folur për gazetarët në një konferencë për media, Ryder foli edhe mbi vendimin e mundshëm të Pentagonit drejtuar Kongresit Amerikan për përfundimin e marrëveshjes për shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Türkiye.

Ryder tha se është një vendim që duhet të merret nga Kongresi, duke shtuar se ShBA-ja dhe Türkiye janë pjesë e një aleance dhe ata janë një partner i rëndësishëm jo vetëm në rajon, por në mbarë botën.

I pyetur nga AA sa e rëndësishme është kjo shitje e mundshme për marrëdhëniet ushtarake, që viteve të fundit janë tensionuar për shkak të disa çështjeve, Ryder theksoi se ShBA-ja e sheh Türkiyen si një aleate të rëndësishme.

"Sigurisht, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet dypalëshe midis ShBA-së dhe Türkiyes, ne gjithmonë kemi thënë se Türkiye është një partner i rëndësishëm dhe aleat i rëndësishëm. Dhe kështu ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me udhëheqësit e Türkiyes mbi atë se si mund ta forcojmë atë marrëdhënie dhe të sigurojmë që nevojat tona reciproke të mbrojtjes të merren parasysh", tha Ryder.

Javën e kaluar, sipas burimeve të AA-së, Departamenti i Shtetit dërgoi në Kongres vendimin për shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Türkiye për një rishqyrtim.

Burimet që folën për AA në kushte anonimiteti thanë se vendimi për shitjen u është përcjellë kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve përkatëse në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatit.

Departamenti i Shtetit pritet të shpallë zyrtarisht vendimin e tij këtë javë.

AA