Dronët e rinj, konceptet futuriste të makinave, raketat, satelitët, robotët dhe inteligjenca artificiale janë vetëm pjesë e programit në festivalin gjashtëditor Teknofest që filloi në qytetin Samsun të Detit të Zi në Türkiye.
TRT Balkan prezanton pesë fakte që duhet të dini përpara se të vizitoni festivalin.
Çfarë mund të shihni?
Festivali mbahet në aeroportin Samsun Karsamba nga Fondacioni Turk i Ekipit të Teknologjisë (Fondacioni T3) dhe Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Türkiye-s. Gjatë aktivitetit gjashtëditor do të zhvillohen shfaqje ajrore me avionë ushtarakë, drone dhe helikopterë, si dhe seminare, samite dhe gara.
Gara në 40 kategori
Gjatë festivalit do të ketë gara teknologjike në më shumë se 40 kategori të ndryshme, duke përfshirë gjysmëpërçuesit, satelitët, raketat, robotikën dhe inteligjencën artificiale e shumë të tjera.
Teknologji për paqe
Selçuk Bayraktar, president i Fondacionit T3, tha në ceremoninë e hapjes se vendet më të forta shpesh shtypin më të dobëtit, duke shtuar se qëllimi i tij është të sjellë drejtësi dhe paqe në një botë ku zhvillimi i teknologjisë së përparuar është i detyrueshëm.
"Dhimbja e Bosnjës, Karabakut dhe Palestinës, ku i gjithë Perëndimi ka kthyer shpinën, është ende e freskët në zemrat tona”, tha ai.
Bayraktar foli edhe për shkatërrimin e Irakut dhe Afganistanit për të “sjellur demokracinë”.
“Në fqinjin tonë verior, Ukrainën, gra dhe fëmijë vazhdojnë të vriten para gjithë botës”, shtoi ai.
600 mijë të regjistruar
Mustafa Varank, Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë i Türkiye, tha se rreth 600.000 njerëz ishin regjistruar për të konkurruar në veprimtari dhe 5.252 ekipe kishin kaluar në fazën përfundimtare.
Çmimi 550.000 dollarë
Fituesit do të shpërblehen gjithsej 10 milionë lira turke (550.000 dollarë), shtoi ai.
Varank tha se përpjekjet e tyre janë të rëndësishme për zhvillimin teknologjik dhe të ardhmen e Türkiye-s.
Ismail Demir, kreu i Presidencës së Industrisë Turke të Mbrojtjes, tha se vendet nuk mund të jenë të fuqishme në fushën e mbrojtjes pa avancimin e teknologjisë.
Të pranishmit në ngjarjej janë transportuar nga qendra e qytetit me autobusë elektrikë të prodhuar në vend.
Vitin e kaluar ngjarja u mbajt në aeroportin Ataturk në Stamboll, ndërsa versioni i parë ndërkombëtar u mbajt në Baku, Azerbajxhan këtë maj.