Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se askush nuk mund t’ua marrë Gazën palestinezëve, duke hedhur poshtë propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për të “marrë nën kontroll” enklavën bregdetare dhe për të zhvendosur popullsinë në vendet fqinje arabe.
Në një intervistë me Narasi TV të Indonezisë, Erdoğan tha se ai beson se Trump po bën një marrëveshje të tillë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, e cila përbën “kërcënim të madh për paqen botërore”.
Megjithatë, presidenti turk shprehu shpresën se ShBA-ja do ta korrigjojë shpejt gabimin në politikën e saj.
Ai tha se “bota islame nuk mund t’i thotë po kësaj” ideje.
Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) do të mbajë një qëndrim të vendosur kundër kësaj, tha ai, duke shtuar se as vendet si Türkiye, Indonezia dhe Pakistani nuk mund ta mbështesin një propozim të tillë.
“Para së gjithash, nëse është e nevojshme të mbështetet paqja botërore, Amerika është kryesisht përgjegjëse për këtë. Një vend si Amerika duhet të jetë në favor të paqes botërore”, theksoi Erdoğan.
Ai theksoi se Ankaraja gjithmonë ka mbështetur paqen botërore dhe se Indonezia, Pakistani dhe Malajzia janë dakord me Türkiyen për këtë çështje dhe do të vazhdojnë të punojnë për të.
Më 4 shkurt, Trump tha se ShBA-ja do të “marrë nën kontroll” Gazën dhe do të zhvendosë palestinezët në vende të tjera sipas një plani të jashtëzakonshëm rizhvillimi që ai pretendon se mund ta kthejë enklavën në “rivierën e Lindjes së Mesme”.
Propozimi i tij u prit me dënime të gjera nga palestinezët, vendet arabe dhe shumë vende të tjera në mbarë botën, duke përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë dhe Britaninë.
Mbështetja e ShBA-së për Izraelin
“Kur shikoni Palestinën... spitalet dhe shkollat janë shkatërruar. Ne e konsiderojmë këtë një qasje çnjerëzore… ne e konsiderojmë akt çnjerëzor”, tha presidenti Erdoğan.
Ai e përshkroi kryeministrin izraelit Binyamin Netanyahu si një “gangster”, duke thënë se ai u është shmangur autoriteteve të brendshme gjyqësore dhe vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP).
Ai tha se e respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për arrestimin e Netanyahut dhe janë në pritje të zbatimit të tij.
Presidenti turk kritikoi kundërshtimin dhe rezistencën amerikane kundër gjyqësorit ndërkombëtar, duke thënë: “Është e pamundur të miratohen këto. Ne jemi në favor të drejtësisë. Këmbëngulim të respektojmë vendimin e një gjyqësori ndërkombëtar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.
Ai vlerësoi GJNP-në për marrjen e vendimit më të saktë për këtë çështje, duke shtuar: “Sigurisht, ne mbështesim Afrikën e Jugut. Ajo bëri hapin e parë dhe ne e mbështesim atë vendim së bashku me ta dhe presim që të zbatohet”.
Një marrëveshje armëpushimi ka qenë në fuqi në Gaza që nga 19 janari, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila ka vrarë më shumë se 48.200 njerëz dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.
Marrëdhëniet Türkiye-Indonezi
Presidenti Erdoğan theksoi se marrëdhëniet Türkiye-Indonezia bazohen në “400 vjet histori” dhe kjo ka vazhduar në çdo rrethanë.
Ai tha se janë mbajtur takime të ndryshme ndërmjet institucioneve të dy vendeve dhe janë nënshkruar marrëveshje nga palët gjatë vizitës së tij këtë javë.
“Me këto 12 marrëveshje, ne i kemi çuar lidhjet midis Türkiyes dhe Indonezisë në një pikë shumë më të fortë”, deklaroi presidenti Recep Tayyip Erdoğan.