Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka pritur me anë të një ceremonie zyrtare presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në vend.
Automjeti i presidentit Steinmeier u prit në bulevardin përpara kompleksit presidencial në Ankara nga kalorësit të cilët e shoqëruan deri në derën e protokollit.
Presidenti Erdoğan e priti homologun gjerman në derën e hyrjes kryesore të kompleksit presidencial.
Pas pozicionimit në zonën ceremoniale të presidentit Erdoğan dhe presidentit Steinmeier, u intonuan himnet kombëtare të të dyja vendeve. Presidenti gjerman përshëndeti trupën ceremoniale me shprehjen turqisht "Merhaba asker" (Përshëndetje, ushtarë).
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe flamuj dhe ushtarë që përfaqësojnë themelimin e 16 shteteve turke të formuara në histori.
Pas ceremonisë së pritjes, Erdoğan dhe Steinmeier pozuan për gazetarët përpara flamujve të Türkiyes dhe Gjermanisë.
Erdoğan dhe Steinmeier kaluan në takimin kokë më kokë dhe pas takimit midis delegacioneve do të zhvillojnë konferencë të përbashkët për media.
Presidenti Erdoğan do të takohet me presidentin gjerman edhe në një darkë pune.
Në ceremoni gjithashtu ishin të pranishëm edhe kryediplomati turk Hakan Fidan, ministri i Thesarit dhe i Financave Mehmet Şimşek, ministri i Kulturës dhe i Turizmit Mehmet Nuri Ersoy, kreu i komunikimeve pranë Presidencës turke Fahrettin Altun, zyrtarë të tjerë në zyrën presidenciale si dhe Guvernatori i Ankarasë, Vasip Şahin.