Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron për vizitë zyrtare në Türkiye, ku u prit nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan. Lideri i Türkiyes dhe ai i Kosovës rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike, ekonomike dhe kulturore mes të dy shteteve dhe popujve. Presidenti turk tha se Ankaraja e mbështet dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe shpreson për një zgjidhje përfundimtare paqësore.
"Ne mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe presim që palët të tregojnë qasje paqësore dhe konstruktive. Türkiye shpreson se procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë do të përfundojë në një mënyrë që do të sigurojë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon", theksoi presidenti Erdoğan.
Erdoğan theksoi se Türkiye vazhdon përpjekjet për të siguruar që Kosova të arrijë pozitën që e meriton në arenën ndërkombëtare.
"Në këtë drejtim, ne e mbështesim vizionin e Kosovës për anëtarësim në NATO, në Këshillin e Evropës dhe në BE", tha presidenti Erdoğan.
Presidenti i Türkiyes gjithashtu i kërkoi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që të rrisë bashkëpunimin me Türkiyen kundër aktiviteteve të grupit terrorist FETO në Kosovë.
Erdoğani dhe Kurti vlerësuan lart bashkëpunimin ekonomik dhe u pajtuan që të punojnë me përkushtim për thellimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi.
"Ne jemi vendi që më së shumti eksportojmë në Kosovë dhe tani duhet të arrijmë 1 miliard euro", tha presidenti turk.
Albin Kurti: Prishtina gjithmonë mirënjohëse ndaj Türkiyes
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se Prishtina do t'i jetë gjithmonë mirënjohëse Türkiyes për rolin e saj në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
“Kjo ndërhyrje ndaloi gjenocidin ndaj popullit të Kosovës dhe ishte e rëndësishme për themelimin e vendit dhe ruajtjen e paqes”, tha Kurti.
Ai, mes të tjerash, e falënderoi presidentin Erdoğan për mbështetjen e Türkiyes në proceset e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO.
Duke iu referuar lidhjeve ekonomike, Kurti tha: "Türkiye është një nga partnerët tanë të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë. Natyrisht, kjo na gëzon, por kjo nuk duhet të jetë e mjaftueshme. Ne mund ta shfrytëzojmë bashkëpunimin tonë aktual për të arritur potenciale më të larta".
Kujtojmë se Türkiye e njohu pavarësinë e Kosovës më 18 shkurt 2008, një ditë pas shpalljes së saj.
Ballkani është një prioritet për Türkiyen, jo vetëm për arsye politike, ekonomike dhe gjeografike, por edhe për lidhjet historike, kulturore dhe njerëzore me rajonin.