Presidenti gjerman mbërriti në Istanbul, nis vizitën treditore në Türkiye /    Foto: AA

Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier mbërriti në Istanbul, ndalesën e parë të vizitës së tij treditore në Türkiye.

Presidenti gjerman u prit në aeroportin Istanbul nga prefekti i Istanbulit, Davut Gül, ambasadori gjerman në Ankara Jürgen Schulz, ambasadori i Türkiyes në Berlin Ahmet Başar Şen dhe zyrtarë të tjerë.

Në këtë vizitë të parë në Türkiye me rastin e 100-vjetorit të fillimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Steinmeier do të vizitojë qytetet Istanbul, Gaziantep dhe Ankara.

Pritet që presidenti gjerman Steinmeier të vizitojë stacionin e trenit Sirkeci në Istanbul në të cilin u nisën drejt Gjermanisë mijëra punëtorë turq të ftuar, të takohet me persona që kanë përvojë në migrimin turko-gjerman si dhe që gjatë vizitës së tij me anije të zhvillojë bisedime me përfaqësues të kompanive gjermane mbi marrëdhëniet ekonomike të dy vendeve.

Po ashtu, pritet që Steinmeier të takohet edhe me përfaqësues të biznesit, shkencës, artit, letërsisë, institucioneve sportive dhe të shoqërisë civile.

Në ditën e dytë të vizitës së tij, parashikohet që Steinmeier të vizitojë shtëpinë e strehimit për të prekurit nga tërmeti në Gaziantep dhe një shkollë të mbështetur nga Gjermania si dhe të marrë pjesë në festimet për 23 prillin.

Ndërsa më 24 prill pritet që Steinmeier të takohet në Ankara me presidentin Recep Tayyip Erdoğan. Po ashtu, Steinmeier ka planifikuar të vizitojë Universitetin e Ankarasë si dhe të vizitojë dhe të vendosë kurorë me lule në mauzoleun Anıtkabir të Ataturkut.

AA