Recep Tayyip Erdoğan, pasi bëri betimin sot për mandatin e tretë të Presidentit të Türkiyes, emëroi kabinetin e ri që ka gjithsej17 ministra.
Në një konferencë për shtyp në Pallatin Presidencial në Ankara, Erdoğan theksoi se Türkiye sot është më e fortë se dje.
"Sot Türkiye është më e fortë se dje, siç është demokracia jonë. Së bashku do të vazhdojmë t'i shërbejmë Türkiyes", tha Erdoğan.
Ai falënderoi të gjithë ministrat që ishin në kabinetin e kaluar dhe më pas shpalli emrat e ministrave që do të bëjnë ngritjen e kabinetit të ri.
Cevdet Yilmaz u emërua në postin e zëvendëspresidentit të Türkiyes. Ministria e Drejtësisë iu besua Yilmaz Tunc, ndërsa Mahinur Ozdemir Goktas do të mbajë postin e ministrit të Familjes dhe Shërbimeve Sociale.
Pozitën e ministrit të Jashtëm e mori Hakan Fidan, shefi prej kohësh i Shërbimit Informativ të Türkiyes, ndërsa në krye të Ministrisë së Brendshme u emërua ish-guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya.
Ministrinë e Thesarit dhe Financave e mori Mehmet Simsek, një emër i njohur në skenën politike turke. Simsek ka shërbyer më parë si Ministër i Financave dhe Ekonomisë gjatë mandatit të Erdoğan si Kryeministër i Türkiyes përpara kalimit të vendit në një sistem qeverisjeje presidenciale. Simsek shërbeu gjithashtu si zëvendëskryeministër.
Postin e ministrit të Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike do ta mbajë Mehmet Ozhaseki, ndërsa Ministrinë e Energjisë dhe Burimeve Natyrore do ta kryesojë Alparslan Bayraktar.
Ministrinë e Rinisë dhe Sportit e ka marrë Osman Askin Bak, postin e ministrit të Bujqësisë dhe Pylltarisë do ta mbajë Ibrahim Yumakli, ndërsa Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë do ta udhëheq Mehmet Fatih Kacir.
Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare e mori Yasar Guler, gjeneral turk dhe ish-shef i Shtabit të Ushtrisë Turke.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës shkoi te Abdulkadir Uraloglu, Ministria e Arsimit do të drejtohet nga Yusuf Tekin, Ministria e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore shkoi te Vedat Isikhan dhe Ministria e Tregtisë te Omer Bolat.
Nga kabineti i kaluar kanë mbetur dy emrat e vetëm edhe atë ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy dhe Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca.
Erdoğan u betua sot për mandatin e tij të tretë si president i Türkiyes dhe i dyti që nga tranzicioni i vendit në një sistem qeverisjeje presidenciale.
Në seancën solemne të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Türkiyes, kryetari i përkohshëm Devlet Bahçeli i dorëzoi Erdoğanit një certifikatë nga Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve që konfirmon fitoren e Erdoğanit në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 28 maj.
Më pas Erdoğan bëri betimin në mënyrë solemne pas kryetarit të parlamentit dhe filloi mandatin e ri të presidentit të vendit.
Pas gjithë kësaj ai vizitoi mauzoleun e themeluesit dhe presidentit të parë të Republikës së Türkiyes, Mustafa Kemal Ataturk, pas së cilës foli në një ceremoni në Pallatin Presidencial.
Erdoğan u zgjodh në pozitën e presidentit për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2014 dhe është gjithashtu presidenti i parë i vendit i zgjedhur drejtpërdrejt.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ai fitoi me 52,18 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës Kemal Kiliçdaroglu 47,82 për qind, treguan rezultatet përfundimtare të shpallura nga Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve të Türkiyes.