Prodhimi i avionit vendas luftarak, Türkiye kaloi një fazë tjetër.     Foto: AA

Me zhvendosjen e pjesë të trupit dhe krahëve në linjën e montimit, ka nisur puna për montimin e avionit luftarak turk, i cili është një nga projektet më të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes të Republikës së Türkiyes.

Hap pas hapi, Türkiye e kalon fazën kyç dhe lëviz në projektin për zhvillim dhe prodhim të avionit luftarak kombëtar, ku integruesi kryesor është Industria Turke e Aviacionit (TUSAS), nën koordinimin e Drejtorisë për Industrinë e mbrojtjes (SSB).

Në këtë kontekst, në selinë e SSB-së u zhvillua ceremonia e nisjes së linjës së prodhimit me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Türkiye, SSB-së dhe Komanda e Forcave Ajrore Turke.

Trupi, mesi, moduli i krahut dhe seksionet e gypit të pasmë të prototipit të avionit luftarak kombëtar turk u transportuan në linjën e montimit, e cila filloi punën për montimin dhe integrimin e sistemit të prototipit të parë, që do të dalë nga hangari më 18 mars 2023 kur dhe fillojnë testimet në vend.

Lokomotivë e industrisë së mbrojtjes

Duke vlerësuar fazën në të cilën ka arritur projekti, presidenti i Drejtorisë Turke të Industrisë së Mbrojtjes, Ismail Demir, tha se si inxhinier avionësh, ishte ëndrra e tij të ishte në një proces të tillë ndërtimi.

“Falënderoj Zotin që kemi mundur të marrim pjesë në këtë proces. Që nga dita kur fillova universitetin tim të parë, e kam ëndërruar këtë ditë. Shpresoj se kemi arritur në fillimin e fundit. Ne hapim perden e parë të këtij biznesi. Puna jonë do të kryhet kur avioni ynë t'i shërbejë me sukses qëllimit të tij. Kemi hapur perden, por kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Të gjithë punonjësit do të kenë gjithashtu një histori për t'u treguar fëmijëve të tyre, nipërve dhe mbesave. Do të mund t'u thoni atyre se keni qenë pjesë e ekipit që ndërtoi avionët e parë luftarak turk", tha Demir.

Duke theksuar se ky projekt është edhe një lokomotivë që tërheq industrinë, Demir tha se në projekt janë përfshirë më shumë kompani dhe sektorë turq që kanë një synim të përbashkët.

Ai shtoi se ky projekt do të nxisë zhvillimin e teknologjisë në përgjithësi dhe do ta çojë Türkiyen në një nivel më të lartë.

“Së bashku do të arrijmë sukses në këtë rrugë. Besoj se së bashku do të ndërtojmë vizionin e Shekullit të Türkiyes. Ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat për të arritur objektivat tona për vitin 2023 nën udhëheqjen e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan”, tha ai.

Provat në tokë

Presidenti i kryesisë së kompanisë TUSAS, Rafet Bozdogan deklaroi se synimi i tyre është të përfundojnë këtë fazë të projektit deri më 18 mars të vitit të ardhshëm.

“Ne kemi arritur një prag shumë të rëndësishëm dhe kritik në projekt. Shpresojmë që shumë shpejt të arrijmë të përmbushim pritshmëritë e forcave tona të armatosura. Është një projekt i vështirë dhe i madh. Shpresoj që prototipi i avionit me motorin e tij të dalë nga hangari më 18 mars”, tha Bozdogan.

Drejtori i përgjithshëm i TUSAS, Temel Kotil, tërhoqi vëmendjen edhe për faktin se në këtë projekt po ndërtojnë avionin e parë luftarak kombëtar të Türkiyes.

“Ne e ndërtuam avionin. Ne në fakt nuk bëjmë aeroplanë, ne ndërtojmë një kompani që do të prodhojë aeroplanë. Ne kemi më shumë se 13.000 punonjës. Objektet janë aty. Tash e tutje kjo kompani do të prodhojë edhe të gjitha llojet e avionëve. Pas kësaj ata do të fillojnë testet në tokë pasi të dalin nga hangari dhe do të përgatiten për fluturimin e parë”, tha Kotil.

Ndërsa pjesë të prototipit të avionit luftarak kombëtar të Türkiyes u transportuan në linjën e montimit, Demir përdori në mënyrë simbolike një mjet automatik dhe filloi montimin. Pas kësaj, të pranishmit nënshkruan pllakën përkujtimore.

Pasojnë faza të reja

Qëllimi është të përfshihen rreth 6,500 komponentë dhe 30 nënsisteme në prototipin e parë të Avionit Luftarak Kombëtar të Türkiyes, ku mbetet prioritet prodhimi i klasit botëror. Është paraparë që projekti të zhvillohet në faza dhe me afate specifike kohore.

Në kuadër të projektit ka përfunduar në masë të madhe edhe ndërtimi i poligonit të testimit “Yildirim”, ku do të zbatohet faza tjetër e projektit. Kanë filluar gjithashtu aktivitetet e instalimit të Demir Kuş (Iron Birds) dhe laboratorit të integrimit të sistemit.

Në periudhën 2023-2029 janë planifikuar faza të reja, me faza të detajuara të projektimit dhe trajnimit. Në këtë proces synohet të realizohet fluturimi i parë, të prodhohen avionë testues, dhe avionë testues konstruksion me përmasa të plota.

AA