Një projekt me qen terapie, i nisur për herë të parë në Türkiye në Aeroportin e Istanbulit, synon të ofrojë një përvojë udhëtimi paqësor dhe të këndshëm për pasagjerët që ndihen të stresuar nga fluturimet, me mbështetjen e miqve të tyre katërkëmbësh.
Sipas projektit pilot, pesë qenë terapie të stërvitur filluan detyrën në Aeroportin e Istanbulit.
Qentë merren nëpër aeroport të shoqëruar nga stërvitësit e tyre për të mbështetur pasagjerët me energjinë e tyre pozitive.
Qentë janë në detyrë në zonën e nisjeve ndërkombëtare gjatë ditës, veçanërisht kur fluturimet janë të shumta.
Abdülkadir Demirtaş, menaxheri i përvojave të klientëve në IGA, e cila drejton aeroportin, tha se çdo vit në aeroport vijnë miliona njerëz nga shumë vende.
Duke thënë se aeroporti zhvillon shërbime për nevoja dhe situata të ndryshme duke i dhënë përparësi kënaqësisë së pasagjerëve, Demirtaş vuri në dukje se udhëtimi ndonjëherë mund të jetë stresues.
"Efektet pozitive të ndërveprimit të njerëzve me kafshët në presionin e gjakut, stresin dhe nivelet e ankthit, janë vërtetuar nga shumë studime shkencore. Në dritën e këtyre studimeve, ne synojmë të ofrojmë një përvojë të këndshme udhëtimi pa stres në aeroportin tonë me qenë terapie", shtoi ai.
Aeroporti dëshiron që mysafirët e tij të largohen nga aeroporti të lumtur dhe me kujtime të paharrueshme, theksoi Demirtaş.
"Mysafirët mund të takojnë qentë tanë gjithandej në aeroport", tha ai.
Duke nënvizuar se projekte të ngjashme ka edhe në vende të tjera të botës, Demirtaş shtoi se, përveç qenve, kuaj poni kryejnë detyra të ngjashme në aeroportet në ShBA dhe Kanada.
Në Aeroportin e Istanbulit IGA, ka gjithsej katër dhoma për kafshë për nevojat e kafshëve të vogla që udhëtojnë.
Dhomat e kafshëve shtëpiake janë të pajisura me produkte si ushqim për macet dhe qentë, kuti për nevojë dhe dërrasa për gërvishtje për macet.