Sa zgjat shpresa: Ja rekordet e mbijetimit nën rrënojat e tërmetit në botë.     / Foto: AA

Dy tërmetet e 6 shkurtit prej 7,7 dhe 7,6 ballësh me epiqendër në Kahranmaraş dhe Elbıstan të Türkiyes llogariten ndër më shkatërruesit në botë gjatë një shekulli.

Sipas informatave të fundit të Agjencionit Turk të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave (AFAD) numri i të vdekurve nga tërmetet në Türkiyen Jugore është rritur në 31.974.

Nga ana tjetër, Presidenti i Türkiyes njoftoi se ekipet e kërkim-shpëtimit deri tani kanë nxjerrë të gjallë mbi 8.000 njerëz nga rrënojat.

Sot nëntë ditë pas fatkeqësisë së tërmetit ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur të shpëtojnë 4 persona.

Tre prej tyre kanë qëndruar nën gërmadha 198 orë të plota, ndërsa Muna Dabul, një shtetase e huaj u shpëtua e gjallë nga rrënojat në Antakya të Hatayit 204 orë pas tërmetit.

Por, sa është rekordi i intervalit kohor të personave që kanë qëndruar dhe janë shpëtuar të gjallë nën rrënoja nga tërmetet e mëparshme, jua sqaron TRT Balkan.

Gjyshja dhe nipi në Japoni

Pas tërmetit dhe cunamit në Japoni të vitit 2011, një adoleshent dhe gjyshja e tij 80-vjeçare u gjetën të gjallë pas nëntë ditësh të bllokuar në shtëpinë e tyre të rrafshuar.

Të dy qëndruan të izoluar në kuzhinën e tyre dhe mbijetuan duke u mbështjellë me peshqir dhe duke ngrënë kos dhe pirë ujë, qumësht dhe kola, thanë asokohe raportet e lajmeve japoneze.

Sumi Abe nuk ishte në gjendje të çlirohej pasi këmbët e saj ishin futur nën frigorifer. Përfundimisht, nipi i saj, Jin Abe, gërmoi rrugën e tij nga mbeturinat në çatinë e shtëpisë, ku ai ishte në gjendje të lajmëronte shpëtimtarët.

16-vjeçarja nga tërmeti në Haiti

Rekordin e qëndrimit më të gjatë nën rrënoja dhe e cila u shpëtua e gjallë pas 15 ditësh nga tërmeti në Haiti e mban 16-vjeçarja Darlene Etienne.

Ajo ishte shumë e dehidruar dhe kishte një lëndim në këmbë, por ishte e vetëdijshme kur u tërhoq zvarrë prej rrënojave nga shpëtimtarët francezë dhe haitianë.

Shpëtimi i saj erdhi pasi që dikush dëgjoi zërin e vajzës dhe u kërkoi punonjësve të Kryqit të Kuq lokal dhe mbrojtjes civile të dërgonin shpëtimtarë në vend, ka sqaruar asokohe Stephan Sadak, një anëtar i ekipit francez të shpëtimit.

Vajza u bllokua mes një muri të shembur dhe një dere në mbetjet e shtëpisë së saj pranë një shkolle në kryeqytetin bregdetar të Haitit.

“Ajo ishte në gjendje të mbijetonte sepse nuk u shtyp nga rrënojat dhe kishte një hapësirë ku ajo mund të shtrihej”, ka thënë Sadak.

Njëra që nuk dukej e habitur ishte nëna e vajzës, një shitëse e varfër perimesh.

“Kurrë nuk e kam menduar se ajo kishte vdekur”, kishte thënë Kerline Dorcant, 39 vjeçe, duke shtuar se gjithmonë ka menduar se ajo ishte gjallë pasi që siç tha ajo "Është Zoti" ai i cili i ka dëgjuar lutjet e pandërprera të një nëne.

Vëllai më i vogël i Darlene, Preslin, kishte thënë: "Unë mendoj se ajo ka një Zot të veçantë".

Mbi shpëtimin e 16-vjeçares 15 ditë nga tërmeti kishte mbetur i shtangur punonjësi i shpëtimit, i cili nuk mund të sqarojë dot se si ndodhi kjo mrekulli.

“Nuk e di se si i ndodhi që ajo të rezistojë kaq gjatë. Është një mrekulli”, tha punonjësi i shpëtimit J.P. Malaganne, duke shtuar se vajza, e quajtur Darline, ishte e lumtur, e tronditur dhe duke qarë.

TRT Balkan