Samiti i NATO-s: Türkiye me 10 çështje të rëndësishme / Photo: AA

Në Samitin e NATO-s në Uashington, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të NATO-s, u njoftua se samiti i ardhshëm pas vitit 2025 do të mbahet në Türkiye, nga ku 10 çështje kryesore dolën në pah për Türkiyen.

Pas samitit të NATO-s që do të mbahet në Holandë në vitin 2025, liderët do të takohen në Türkiye për takimin e radhës.

Lufta kundër terrorizmit, kërcënimi i dytë më i madh me të cilin përballet NATO-ja

Një arritje e rëndësishme në luftën kundër terrorizmit, që shqetëson shumë Türkiyen, ishte përditësimi i dokumentit që përcakton strategjinë e NATO-s për këtë çështje. Në Deklaratën Përfundimtare të NATO-s, lufta kundër terrorizmit u përmend si kërcënimi i dytë më i madh me të cilin po përballet Aleanca.

Ndërkohë, vendimi i marrë në Samitin e Vilniusit të vitit të kaluar se aleatët nuk duhet të vendosin sanksione ndaj njëri-tjetrit u rikonfirmua në Samitin e Uashingtonit të këtij viti.

Mbrojtja e aleatëve të NATO-s kundër kërcënimit të raketave balistike

Gjatë samitit theksi u vendos në rritjen e kërcënimeve me raketa balistike, ndërsa ripranimi i angazhimit për mbrojtjen e plotë të të gjithë aleatëve të NATO-s doli në pah si çështje e rëndësishme për Türkiyen.

Një çështje tjetër e konsiderueshme për Türkiyen ishte se në kuadër të marrëdhënieve NATO-BE, u vendos që bashkëpunimi midis dy organizatave të kryhej mbi bazën e një "acquis" që pasqyron një politikë të preferuar nga Türkiye dhe që daton në një periudhë më të vjetër.

Gjithashtu, në mbështetje të pikëpamjes së Türkiyes se NATO është e vetmja ombrellë e sigurisë, u vendos që projektet e përbashkëta të zhvilluara nga disa vende ndërmjet tyre ose jashtë fushëveprimit të NATO-s do të kryheshin në përputhje me procesin e planifikimit të mbrojtjes të NATO-s.

Vlerësohet arritja e objektivit prej 2 për qind nga Türkiye

NATO-ja vlerësoi Türkiyen në samit, ku u vu re qartë se shpenzimet e mbrojtjes së Türkiyes ishin rritur sërish në 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Në këtë kontekst, Türkiye përsëriti planin e saj të mbështetjes për zhvillimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes të NATO-s, të cilin e kishte miratuar në Samitin e Vilniusit si dhe bëri një angazhim të ri mbështetës.

Në samit u bë fjalë edhe për Konventën e Montreux-it

Në kuadër të konfliktit Ukrainë-Rusi, zbatimi i Konventës së Montreux-it nga Türkiye, Marrëveshja e Grurit të Detit të Zi dhe përpjekjet për ndërmjetësim midis palëve ishin shpesh në rend dite në mbarë botën. Në Samitin e Uashingtonit, ku Deklarata Përfundimtare i referohej drejtpërdrejt Konventës së Montreux-it, aleatët vendosën që kontributet jomonetare në Ukrainë të njiheshin nga NATO-ja.

Në samit u vendos që të ofrohet mbështetje arsimore për Ukrainën dhe të përgatitet një paketë ndihme afatgjate për sigurinë.

Në Samitin e Uashingtonit u vendos që të krijohet një Qendër e Përbashkët e Trajnimit dhe Edukimit për Analizë NATO-Ukrainë. Gjithashtu, u ra dakord që qendra në fjalë të koordinonte mbështetjen e aleatëve për Ukrainën.

AA