Presidenti i Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Türkiyes, Mustafa Şentop, tha sot në Istanbul se të gjithë ata që merren me llogari të pista, përçarje të përgjakshme dhe mbështesin dhunën dhe padrejtësinë, gjithmonë do ta gjejnë Türkiyen kundër tyre.
Në fjalën e tij në hapjen e konferencës ndërkombëtare “Ballkani dhe Evropa: nga një e kaluar e përbashkët në një të ardhme të përbashkët” të mbajtur në Universitetin e Istanbulit, Şentop tha se shumë probleme që presin një zgjidhje të përhershme po thellohen gradualisht me lëvizjet globale dhe rajonale, dhe se këto probleme janë veçanërisht të shprehura në Ballkan.
Duke theksuar se përvojat e dhimbshme të viteve 1990 pas shpërbërjes së Jugosllavisë ende zënë një vend të rëndësishëm në kujtesën e të gjithëve, Şentop tha se megjithëse janë ndërmarrë shumë hapa për të lehtësuar ato vuajtje dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkan, zgjidhje të përhershme dhe efektive nuk janë gjetur akoma për shumë probleme.
Şentop tha se problemet po ndërlikohen dhe zgjidhjet po bëhen më të vështira, ndërsa "shembulli më konkret i kësaj është bllokada e shpeshtë politike dhe stabiliteti i brishtë në Bosnjë e Hercegovinë".
Şentop theksoi se ka forca që duan të prishin paqen e Türkiyes dhe në këtë mënyrë të lëkundin përqendrimin e saj në Ballkan.
"Unë po i thërras nga këtu. Të gjithë në Ballkan e dinë që dielli i Ballkanit lind në Türkiye dhe perëndon në Evropë. Ju nuk keni parë gjë tjetër veç gjakut dhe lotëve në Ballkan kur nuk kishte prani të Türkiyes. Türkiye po bën hapa drejt paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajonin e saj, por edhe në gjithë botën”, deklaroi kryeparlamentari turk.
Şentop tha gjithashtu se ata që po përpiqen në mënyra të ndryshme gjatë periudhës parazgjedhore të rraskapitin Türkiye, ta distancojnë atë nga rajoni dhe ta mbyllin brenda kufijve të saj, nuk do ta arrijnë këtë.