Eksportet e Türkiyes në Ballkan në 10 muajt e vitit 2022 janë rritur me 21.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar duke arritur në 17.28 miliardë dollarë.
Eksporti më i lartë është realizuar në Rumani (5.2 miliardë dollarë) ndërsa rritja më e madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është shënuar në Mal të Zi.
Sipas të dhënave që ka mbledhur gazetari i AA-së nga Asambleja e Eksportuesve Turq (TIM), në 10 muajt e këtij viti janë eksportuar 17 miliardë e 286 milionë dollarë në vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë dhe Greqinë.
Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo shifër ishte në nivelin 14 miliardë e 188 milionë dollarëve, kështu që eksportet në Ballkan janë rritur për 21.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Eksporti më i madh në periudhën e përmendur në vendet e Ballkanit është arritur në Rumani (5.22 miliardë dollarë), e ndjekur nga Bullgaria (3.76 miliardë dollarë), Greqia (2.38 miliardë dollarë), Serbia (1.43 miliardë dollarë) dhe Sllovenia (1.36 miliardë dollarë).
Eksportet në vendet e tjera të rajonit ishin më pak se 1 miliard dollar, Shqipëri (836.63 milionë dollarë), Bosnjë e Hercegovinë (602.47 milionë dollarë), Maqedoni e Veriut (537.75 milionë dollarë), Kosovë (520.38 milionë dollarë), Kroaci (482.64 milionë dollarë) dhe Mali i Zi (128.12 milionë dollarë).
Mali i Zi me rritjen më të madhe të eksportit
Eksportet në Ballkan, në periudhën janar-tetor të këtij viti janë rritur në 10 vende krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Rënie është regjistruar në një vend.
Në këtë periudhë, rritja më e lartë e eksporteve është shënuar në Mal të Zi me 49 për qind. Pas Malit të Zi, vendi me rritjen më të madhe të eksporteve ndër vendet e Ballkanit ishte Shqipëria me 43.8 për qind.
Eksportet në Rumani u rritën me 32 për qind, Bullgari me 29.4 për qind, Maqedoni e Veriut me 26 për qind, Kroaci me 25.9 për qind, Serbi me 24 për qind, Kosovë me 21.8 për qind, Bosnjë e Hercegovinë me 18.9 për qind dhe Greqi me 2.2 për qind. Eksportet drejt Sllovenisë kanë shënuar ulje me 2.2 për qind.
Në rajon 48 për qind e eksporteve vijnë nga Istanbuli
Sa i përket eksporteve në vendet e Ballkanit në bazë të qyteteve, në vendin e parë radhitet Istanbuli me 8.2 miliardë dollarë.
Me këtë shumë, Istanbuli përbën 48 për qind të eksporteve prej 17.28 miliardë dollarësh drejt vendeve të Ballkanit.
Sektori i materialeve dhe produkteve kimike realizoi eksportin më të madh në Ballkan. Në këtë periudhë, sektori i materialeve dhe produkteve kimike ka eksportuar 3.12 miliardë dollarë në vendet e Ballkanit.
Ky sektor pasohet nga çeliku, industria e automjeteve, metalet e zeza dhe me ngjyra, energjia elektrike dhe elektronika.
Sipas të dhënave të TIM, sasia e eksporteve drejt vendeve të Ballkanit dhe ritmi i rritjes në periudhën janar-tetor 2021 dhe 2022 duket kështu: