Shembet një fshat i tërë në Kahramanmaraş nga tërmeti në Türkiye / Foto: AA

Tërmetet masive që goditën pjesën jugore të Türkiyes më 6 shkurt shkaktuan shkatërrime të mëdha, veçanërisht në një pjesë të provincës Kahramanmaraş, që ishte edhe epiqendra e tërmeteve.

Fshati Ördekdede në qarkun Pazarcık ndodhet afër epiqendrës së njërit prej tërmeteve.

Pothuajse të gjitha shtëpitë njëkatëshe atje u shkatërruan, ndërsa për disa kilometra në afërsi të fshatit vërehen çarjet e tokës.

Duke folur për Anadolu, Kemal Güven, kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Ördekdede, tha se para fatkeqësisë fshati kishte 140 shtëpi, ndërsa pas tërmetit nuk ka mbetur pothuajse asnjë shtëpi me strukturë të qëndrueshme.

Güven ishte me fat, pasi në momentin e tërmeteve ndodhej në Gaziantep.

Pasi mbërriti në fshat, ai dhe fqinjët e tij nxorën të afërmit e tij nga rrënojat, ndërsa tani po përpiqen të rindërtojnë fshatin.

"Kanë mbetur vetëm dy-tri shtëpi që qëndrojnë, ndërsa të tjerat janë shkatërruar. Tërmeti la të vdekur 34 persona dhe 25 të tjerë të lënduar", tha ai.

Mbi 41 mijë persona humbën jetën dhe mbi 105 mijë të tjerë u lënduan nga dy tërmetet e forta që goditën pjesën jugore të Türkiyes më 6 shkurt.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, me qendër në provincën Kahramanmaraş, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 11 provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye, Şanlıurfa dhe Elazığ.

AA