Forcat turke shkatërruan 30 objektiva në veri të Sirisë që i përkisnin grupit terrorist YPG/PKK, duke përfshirë puse nafte dhe strehimore, njoftoi Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes.
Një operacion ajror kundër objektivave terroriste është kryer në rajonet Tal Rifat, Jazira dhe Al-Malikiyah në orën 23:00 sipas kohës lokale (2000 GMT), tha ministria në një deklaratë.
Forcat e sigurisë shkatërruan gjithsej 30 objektiva, duke përfshirë puse nafte dhe objekte magazinimi të përdorura nga organizata terroriste separatiste dhe shpella, bunkerë, strehimore dhe depo, në të cilat është zbuluar se ndodheshin terroristë të rangut të lartë, njoftohet më tej.
Operacioni synon të eliminojë sulmet terroriste kundër popullit turk dhe forcave të sigurisë, duke “neutralizuar” elementë të PKK/YPG-së dhe elementë të tjerë terroristë për të garantuar sigurinë kufitare bazuar në të drejtat e vetëmbrojtjes që burojnë nga neni 51 i Kartës së OKB-së, shtoi ministria.
Sipas deklaratës, gjatë operacionit janë marrë të gjitha masat paraprake për të parandaluar dëmtimin e civilëve të pafajshëm, pasurive historike dhe kulturore dhe mjedisit.
Autoritetet turke përdorin termin “neutralizim” për të nënkuptuar se terroristët në fjalë janë dorëzuar, vrarë ose kapur.
Nga viti 2016, Ankaraja ka kryer tri operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar kthimin paqësor të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja – e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega e saj në Siri.