Në Shkup është mbajtur ceremoni përkujtimore me rastin e 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Türkiyes.
Programi nisi me një minutë heshtje dhe intonimin e himnit kombëtar turk.
Në fjalën e tij, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, kujtoi se kanë kaluar 8 vjet nga tentativa e grushtit të shtetit të organizatës terroriste tradhtare FETO dhe se anëtarët e FETO-s që depërtuan në Forcat e Armatosura Turke synonin të merrnin institucionet shtetërore.
Duke kujtuar se 253 shtetas turq ranë dëshmorë dhe mbi 2.000 qytetarë u plagosën si rezultat i tentativës për grusht shtet, Ulusoy tha se përpjekja për grusht shteti të 15 Korrikut u ndërpre nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, me qëndrimin e vendosur të forcave të sigurisë dhe popullit turk.
Duke dhënë informacion për të pranishmit për strukturën e FETO-s, Ulusoy theksoi se vazhdojnë luftën e tyre për eliminimin e strukturave të FETO-s në vendet e huaja. Ai shpjegoi se vazhdojnë përpjekjet e tyre për mbylljen e institucioneve arsimore të lidhura me FETO-n jashtë vendit dhe transferimin e tyre në Fondacionin Turk Maarif.
Ulusoy tha se aktivitetet e shkollave të FETO-s në shumë vende miqësore dhe vëllazërore u ndërprenë dhe u morën përsipër nga Fondacioni turk Maarif. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është ndër vendet ku operon Fondacioni Maarif.
"Shohim me trishtim se FETO vazhdon ende praninë e saj në Maqedoninë e Veriut. Nën maskën e një institucioni arsimor, tre shkolla të lidhura me FETO-n në Shkup, Tetovë dhe Strugë vazhdojnë të funksionojnë edhe sot, duke shfrytëzuar emrin e Yahya Kemalit, një nga poetët e rëndësishëm të letërsisë turke. Ne ua shpjegojmë fytyrën reale të FETO-s bashkëbiseduesve tanë në Maqedoninë e Veriut me shembuj konkretë. Shpresojmë që në periudhën e ardhshme të rrisim bashkëpunimin tonë në luftën kundër kësaj organizate terroriste tradhtare", tha Ulusoy.
Ambasadori Ulusoy nënvizoi se Türkiye do të vazhdojë luftën e saj të vendosur kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n, brenda dhe jashtë vendit. "Ne presim që të gjitha vendet të veprojnë me frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit në luftën kundër terrorizmit. Edhe turqit jashtë vendit kanë përgjegjësi të madhe për të rritur ndërgjegjësimin për fytyrën e vërtetë të organizatës terroriste FETO. Tregojeni këtë organizate terroriste në çdo pjesë të Maqedonisë së Veriut. Informoni të gjithë miqtë tanë për ambiciet e tyre të pabesa", tha ai.
Ulusoy në fjalën e tij potencoi zjarret në pyje që kanë ndodhur në muajt e verës në Maqedoninë e Veriut. "Ne ndërmorëm veprime të shpejta pasditen e djeshme, në kuadër të kërkesës që morëm nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Që nga mëngjesi i sotëm zbarkuam në Shkup dy avionë zjarrfikës dhe një helikopter zjarrfikës nga vendi ynë. Ne me Maqedoninë e Veriut jemi gjithmonë miq dhe vëllezër në kohë të mira dhe të vështira", tha ai. Në ceremoninë e mbajtur nga Ambasada e Türkiyes në Shkup në rezidencën e ambasadës morën pjesë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për qeverisje të mirë Arben Fetai, ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut Gjorge Ivanov, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut Shaqir Fetahu, kryetarë komunash, përfaqësues të partive politike në vend, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe shumë të ftuar.
Lutje për dëshmorët e 15 Korrikut
Para faljes së namazit të drekës në xhaminë "Murat Pasha" në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, është organizuar program përkujtimor për dëshmorët e 15 Korrikut nga Konsulenca për shërbime fetare të Ambasadës së Türkiyes në Shkup.
Në program, përveç ambasadorit Ulusoy, morën pjesë edhe deputetët turq Salih Murat dhe Beycan İlyas, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe xhemati i xhamisë.
Në kuadër të programit u lexuan ilahi (këngë fetare) në gjuhën turke dhe atë shqipe, ndërsa u lexua Mevludi Sherif dhe u bënë lutje.